Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Hidhen poshtë ankesat e VV-së, s’ka rivotim në Malishevë e Han të Elezit

nga Venera Grabanica30 tetor 2025
Hidhen poshtë ankesat e VV-së, s’ka rivotim në Malishevë e Han të Elezit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka hedhur poshtë ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje për rivotim të pjesshëm në Han të Elezit e Malishevë.

Në ankesë e VV-së, pretendohet se 13.26% të votave në Han të Elezit dhe 9.32% të votave në Malishevë janë hedhur në kutitë e votimit me asistencë, por PZAP ka konstatuar që këto ankesa janë të pasafatshme dhe nuk është marrë fare me pretendimet e palës ankuese.

Sipas LVV-së, janë 20 mijë e 465 vota të vlefshme, nga to, sipas Vetëvendosjes, 1 mijë e 908 vota me asistencë.

Zgjedhjet në Komunën e Malishevës me 52 për qind i ka fituar kandidati i NISMËS, Ekrem Kastrati njëherësh kryetar aktual.

Kandidati i LVV-së Valon Hoti, doli i treti.

“Përqindja e votave me asistencë në Komunën e Malishevës arrin në 9.32% të të gjitha votave të vlefshme, nga 20,465 vota të vlefshme në komunën e Malishevës, 1,908 janë vota me asistencë. Në vendvotime të ndryshme, të selektuara si dëshmi konkrete, përqindja e votave me asistencë arrin deri mbi 20%, me arsyetimin se në mbi 90% të rasteve votuesi/ja ‘nuk sheh’ dhe ‘nuk din’. Nga numri i përgjithshëm i vendvotimeve në komunën e Malishevës, në 37 vendvotime, që përbën rrafsh 50% të të gjitha vendvotimeve në këtë komunë, numri i votave me asistencë shtrihet nga mbi 10% deri në 21.30%”, thuhet në ankesë.

Tutje në ankesë, theksohet se në disa vendvotime përqindja e votave me asistencë është 1.3% e në disa të tjera 21.3%.

“Nga interpretimi i këtyre dispozitave ligjore, Paneli vlerëson se, ankesa e ankuesit është paraqitur pas afatit ligjor, kjo pasi që, pretendimet ankimore të palës ankuese kanë të bëjnë me parregullsitë që kanë ndodhur ditën e zgjedhjeve të mbajtura më datë 12.10.2025 për shkak të numrit të lartë të asistimit të votuesve në ditën e zgjedhjeve dhe se Qendra e Votimit është mbyllur më datë 12.10.2025, ku pala e cila ka pretenduar se i janë shkelur të drejtat e tij në rastin e votimit të asistuar, ka pasur të drejtë të paraqesë ankesë brenda 48 orësh nga momenti i mbylljes së qendrës së votimit, ndërsa ankesa është dorëzuar më datë 27.10.2025, e në anën tjetër parregullsia për të cilin pretendon pala ankuese është bërë më datë 12.10.2025, që do të thotë se ankesa është dorëzuar pa afatit të paraparë ligjor”.

Njëjtë, Lëvizja Vetëvendosje, pati ankesë edhe për zgjedhjet në Han të Elezit, të cilat i ka fituar kandidati i Partisë Demokratike, Mehmet Ballazhi me 134 vota diferencë nga Rufki Suma – kandidat i pavarur, për të cilin është ankuar Vetëvendosja në PZAP.

“Nga gjithsej 5,015 vota të vlefshme, 665 vota evidentohen me asistencë apo 13.26%. Derisa dallimi mes kandidatit të parë, fitues i garës zgjedhore pa balotazh dhe kandidatit të dytë është vetëm 134 vota, atëherë del se numri i votave me asistencë është 5 herë më i madh se dallimi i votave (134) mes dy kandidatëve në garë”.

Në vendim, PZAP ka theksuar se ankesa është e bërë pas afateve të parapara ligjore.

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →