Moti…🔎 Kërko
RTV21
BallinaLajme
📰 Lajme

PDK-ja paralajmëron zgjedhje të brendshme pas rezultatit të 7 qershorit

nga Gentrita Xhemajli9 qershor 2026
PDK-ja paralajmëron zgjedhje të brendshme pas rezultatit të 7 qershorit
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur të martën mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar rezultati i zgjedhjeve dhe hapat e ardhshëm politikë e organizativë të partisë, duke paralajmëruar zgjedhje të brendshme shumë shpejt.\r\n\r\n“Kryesia vlerësoi se pjesëmarrja më e ulët në procesin zgjedhor, krahasuar me ciklet e kaluara me rreth 200 mijë votues më pak, përbën një sinjal serioz që reflekton lodhjen e qytetarëve nga krizat e njëpasnjëshme politike, polarizimin e madh shoqëror dhe zhgënjimin e akumuluar gjatë viteve të fundit”, thuhet në njoftimin e PDK-së.\r\n\r\nGjithashtu, sipas njoftimit, në këtë takim u diskutua edhe ndikimi i rrethanave të përgjithshme politike dhe ekonomike në rezultatin zgjedhor.\r\n\r\n“Masat financiare dhe subvencionet e shpërndara nga Qeveria në prag të zgjedhjeve u vlerësua se kanë ndikuar në krijimin e perceptimit te një pjesë e elektoratit opozitar se rezultati zgjedhor ishte i paracaktuar, duke ndikuar në dekurajimin e tyre për të dalë në votime”, vijon njoftimi.\r\n\r\nPavarësisht këtyre rrethanave, Kryesia vlerësoi se PDK-ja mbetet subjekti më i madh opozitar, duke ruajtur përqindjen e përfaqësimit politik, me mundësi rritjeje të lehtë të numrit të deputetëve në Kuvend.\r\n\r\nKryetari i PDK-së, Bedri Hamza, theksoi se gjatë periudhës së fundit, partia është përballur me procese të shumta zgjedhore të njëpasnjëshme, duke mos pasur hapësirën dhe kohën e nevojshme për riorganizim dhe konsolidim të strukturave të saj.\r\n\r\n“Në këtë mbledhje, Kryesia diskutoi edhe proceset e ardhshme, përfshirë zgjedhjet e brendshme partiake, të cilat do të jenë të hapura, fer dhe gjithëpërfshirëse, me synim krijimin e hapësirës për ide të reja, energji të reja dhe përfshirje më të madhe të gjeneratave të reja në strukturat drejtuese të PDK-së. Kryesia diskutoi mundësinë që procesi i brendshëm zgjedhor të fillojë në shtator 2026”, thotë tutje njoftimi.\r\n\r\nPo ashtu, u ritheksua edhe rëndësia e përmbylljes së procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-liderëve të PDK-së, si një proces me rëndësi të veçantë për lirinë, pavarësinë dhe të ardhmen e Kosovës.\r\n\r\n“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar për të reflektuar mbi secilin mësim të nxjerrë nga procesi zgjedhor dhe për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve dhe interesit shtetëror të Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi.\r\n\r\nSipas rezultateve preliminare, PDK-ja mori 21.14 për qind apo 24 deputetë. Megjithatë, përkthyer në vota, kjo parti ka marrë gati 50 mijë më pak se në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
← Më shumë lajme📰 Më shumë nga Lajme