RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

A e bën LDK-ja ndryshimin?

nga B G29 korrik 2026
A e bën LDK-ja ndryshimin?

30 korriku pritet të jetë vendimtar për Lumir Abdixhikun, nëse ai do ta marrë mbështetjen e delegatëve në Kuvendin zgjedhor të LDK-së për të vazhduar udhëheqjen e këtij subjekti politik, apo nëse do të shkarkohet nga ky post. Kuvendi i LDK-së mbahet mes dy taborëve; atyre që, si Abdixhiku, e konsiderojnë Kuvendin të panevojshëm, të parakohshëm, të pavend dhe të dëmshëm, si dhe atyre që, si deputetja Hykmete Bajrami, thonë se LDK-ja duhet të ndryshojë për t’u ringritur.

‘’E kam konsideruar këtë Kuvend të panevojshëm, të parakohshëm dhe të pavend. Si proces të njëanshëm e konsideroj të dëmshëm dhe përçarës. Jo për fatin tim individual, por për plagët që veçse ia ka lënë LDK-së. As nuk ka qenë koha, as vendi, e aq më pak mënyra.’’, ka shkruar Abdixhiku

‘’LDK-ja duhet të ndryshojë që të ringritet. Këtë të enjte, Lidhja Demokratike e Kosovës, shtëpia jonë politike, do të përballet me një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e saj.’’, ka shkruar Bajrami

Ndërkohë, zhvillimet brenda LDK-së po ndiqen me vëmendje edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka bërë lëvizje për takime me partitë e tjera politike në funksion të arritjes së një marrëveshjeje. Nga LVV-ja është thënë se po presin epilogun e Kuvendit të LDK-së për të vazhduar bisedimet aty ku kishin mbetur pas takimit të 10 korrikut mes Kurtit dhe Abdixhikut.

Analisti politik Lutfi Bilalli vlerëson se Kuvendi i LDK-së do të sqarojë shumëçka sa i përket mundësisë për një koalicion me LVV-në. Por, sipas tij, edhe nëse Abdixhiku nuk shkarkohet dhe arrin një marrëveshje me Kurtin, disa deputetë brenda LDK-së nuk pritet ta mbështesin koalicionin.

‘’Kuvendi i LDK-së do të sqarojë shumëçka. Edhe nëse Kuvendi ia jep besimin Abdixhikut, problemi mbetet te numrat e deputetëve për zgjedhjen e presidentit.’’, ka th

Analisti tjetër politik, Arbnor Sadiku, parasheh dy skenarë në raport me Kuvendin e LDK-së dhe mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje me LVV-në. Sipas tij, vazhdimi i Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së do ta bënte më të lehtë arritjen e marrëveshjes, ndërsa e kundërta do t’i zvogëlonte ndjeshëm gjasat.
Arbnor Sadiku, analist politik
‘’Nëse Abdixhiku konfirmohet si kryetar i LDK-së, gjasat janë më të mëdha për një marrëveshje. Por, nëse zgjidhet një kandidat tjetër, mendoj se gjasat për një marrëveshje mes LDK-së dhe LVV-së janë minimale, sepse, bazuar në deklaratat publike në raport me LVV-në, është e vështirë që brenda një periudhe të shkurtër të qetësohet situata.’’
Të dy analistët kritikojnë qasjen e LVV-së, e cila e ka fokusuar bashkëpunimin vetëm me LDK-në. Sipas tyre, Kurti duhet t’i shqyrtojë edhe kërkesat e AAK-së dhe mundësinë e bashkëpunimit me PDK-në për zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.
Lutfi Bilalli, analist politik
‘’Nëse Kurti ia plotëson Aleancës kërkesat, mund t’i sigurojë votat e shtatë deputetëve të saj për zgjedhjen e presidentit.’’
Arbnor Sadiku, analist politik
‘’LVV-ja është dashur të hulumtojë edhe mundësitë e tjera me PDK-në dhe AAK-në, por, siç duket, kjo situatë i konvenon Kurtit.’’
Seanca për konstituimin e Kuvendit është caktuar të mbahet më 6 gusht. Ndërsa, nuk dihet nëse brenda ditës do të thirret seancë tjetër për formimin e Qeverisë pasi LVV-ja ka thënë se i kanë siguruar votat.

​UEFA humb besimin te Infantino, paralajmëron masa ndaj udhëheqjes së FIFA-s
LAJMI TJETËR →
​UEFA humb besimin te Infantino, paralajmëron masa ndaj udhëheqjes së FIFA-s

Më të fundit

Të gjitha →