Një tjetër varr masiv që përmban 900 trupa është gjetur në rajonin e Kievit, tha sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në një intervistë me mediat polake, ai akuzoi trupat ruse për pastrimin e gjurmëve dhe përdorimin e krematoriumeve të lëvizshëm për të djegur kufomat.
“Askush nuk e di se sa njerëz vdiqën në total. Do të ketë pasoja, do të ketë një hetim”, tha Zelensky, duke mos dhënë detaje tjera, përcjell rtv21.tv
Por zëdhënësi i tij, Serhiy Nikiforov, tani thotë se megjithëse një varr i ri masiv u zbulua të premten, presidenti foli gabim dhe në fakt po i referohej numrit të përgjithshëm të trupave të gjetur deri më tani në varrezat masive pranë qytetit Bucha, në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve Unian.
Ukraina më herët akuzoi trupat ruse për vrasjen e qindra civilëve në Bucha, Borodyanka dhe Irpin – qytete pranë kryeqytetit Kiev, të cilat ishin të pushtuara për javë të tëra nga Rusia.
Moska i hedh poshtë akuzat./21Media









