Ftesës së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për një pakt partiak rreth shkurtimit të fushatës zgjedhore i janë përgjigjur dy liderë politik. I pari kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe më pas kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.
Por vetëm kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ende nuk ka konfirmuar as pranuar propozimin e Abdixhikut.
Për këtë, kreu i LDK-së e ka ftuar sërish Kurtin t’i bashkëngjitet kësaj nisme e nga aty edhe takimit eventual të të gjithë liderëve për definim formal të paktit në fjalë me gjithë propozimet e deritanishme e të tjerat që mund të vijnë.
Abdixhiku ka thënë se “hapat tonë partiak, shërbejnë në mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor demokratik, më 17 tetor, të sigurtë për të gjithë, përgjegjës ndaj të gjithëve”.
Edhe portali rtv21.tv ka dërguar pyetje te Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këtë çështje, por ende nuka ka marrë përgjigje. Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka ka deklaruar për rtv21.tv se sapo të kenë informacione do të përgjigjen./21Media










