Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në MINT, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se i dha miliona euro të buxhetit mikut të tij.
“Jo me garë, jo me procedurë, jo me ligj – por me tender veçmas për të”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
“Një mik Kryeministri që merr miliona nga shteti me procedurë të qëndisur enkas për të, vendosë t’i marrë – siç na thotë Kryeministri vet – veç’ 3%; përkatësisht 52 ton grurë, 200 mijë litra vaj e 120 mijë kilogram sheqer. Një hajni që del sheshazi në publik, dhe një Qeveri që në njërën anë atakon mediat sepse zbuluan një skandal të tillë, e në anën tjetër prokurorinë sepse arreston keqbërësit e tillë”, shtoi tutje ai.
I pari i LDK-së tha se “tenderave për miq i kemi thënë gjithnjë korrupsion, marrjes së përqindjeve gjithmonë hajni dhe frikësimit të gjyqtarëve kapje e zaptim”.
“Asgjë mangut sot. Mbrojtja për Ridin që i merr ‘vetëm’ 3%; për Martinin që i tërheqë 1.4 milion kesh në Prishtinë, apo për Nagipin që jep tender 3.5 milionësh një biznesi pa qarkullim – është vazhdimësi e hajnisë që Kosovës nuk i është ndarë tash e shumë kohë. Po bëhet sepse arroganca e numrave u ka dhënë përshtypjen se janë mbi shtet dhe mund të bëjnë çfarë të dojnë. Tani a është ky ndryshimi i njëmendtë të cilin e kërkonim ndër vite? Të dëgjojmë krahasime se këta apo të tjerët para tyre janë hajna më të mëdhenj? Pas shumë përpjekjeve për evropianizim, a duhet të mjaftohemi me një Qeveri e Kryeministër që mbronë kriminelët në pranga e krimin rreth tij, e shpërfaqet me plot mllef ndaj luftuesve të tij?”, pyeti Abdixhiku.
“Kosova mundet më mirë, Kosova meriton më shumë. ‘Rruga e re’ po vjen, si domosdoshmëri e vet kohës, dhe s’ka asgjë që e ndalë atë tashmë. #rrugaere”, përfundoi ai. /21Media











