Aksion i policisë kundër fajdes dhe shpërlarjes së parave, dy të arrestuar
(Lajm i përditësuar)
Aksion i policisë kundër fajdes dhe shpërlarjes së parave, dy të arrestuar
Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë arrestuar dy persona, B.M dhe Q.M, nën dyshimet për përfshirje në disa vepra penale “fajde”, “shpëlarje e parave”, “kanosje”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim”.
Arrestimet u kryen pas veprimeve hetimore të zhvilluara me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Me autorizim të kësaj prokurorie dhe vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në aksionin e sotëm janë realizuar kontrolle në katër lokacione të ndryshme – përfshirë shtëpi, banesa, biznese dhe objekte përcjellëse – që lidhen me të dyshuarit.
Gjatë bastisjeve, hetuesit kanë sekuestruar prova materiale të cilat pritet të përdoren në procedurat penale kundër të arrestuarve. Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, Prokuroria Speciale ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve për 48 orë.
Aksion i policisë kundër fajdes dhe shpërlarjes së parave
Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës po zhvillojnë një operacion të madh që përfshinë 5 komuna të Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani për rtv21.tv ka konfirmuar se me autorizim të Prokurorisë Speciale, ka realizuar operacion policor në Prishtinë, duke zbatuar urdhër- kontroll të gjykatës, në vendbanimet e përsonave të dyshuar.
Sipas tij, operacioni Policor është realizuar mbi ”dyshimet për veprat penale fajdeja dhe shpërlarja e parave”.
”Pas përfundimit dhe kompletimit të veprimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, tha Kelani.
Lidhur me aksionin e madh Prokurori-Polici që po zhvillohet në disa komuna të vendit, për rtv21.tv zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi tha se përveç Prokurorisë, Policisë dhe institucioneve të tjera, në terren kanë dalë edhe nëntë prokurorë të shtetit. /21Media











