“Ne mirëpresim përurimin e Kuvendit të ri të Kosovës”
Ambasada britanike në Kosovë ka mirëpritur konstituimin e Kuvendit dhe ka uruar Glauk Konjufcën si kryekuvendar si dhe të gjithë anëtarët e tjerë të Kuvendit të Kosovës.
“Ne mirëpresim përurimin e Kuvendit të ri të Kosovës dhe urojmë kryetarin e ri Glauk Konjufca dhe zëvendëskryetarët e rinj për emërimin e tyre”, thuhet në shkrimin e Ambasadës.
Gjithashtu, Ambasada britanike ka thënë se formimi i Qeverisë së Kosovës pas zgjedhjeve të 6 tetorit është vonuar, duke kërkuar formimin e saj sa më shpejt. “Pothuajse tre muaj nga zgjedhjet parlamentare, formimi i një qeverie të re është vonuar për një kohë të gjatë. Tani është konstituuar Kuvendi, votuesit e Kosovës meritojnë të kenë qeverinë për të cilën votuan më 6 tetor sa më shpejtë”.
Një kërkesë të tillë e ka pasur edhe Ambasada e ShBA-së në Kosovë.
LVV dhe LDK ka ditë që nuk po mund të arrijnë një koalicion për bashkëqeverisje për shkak të postit të presidentit.
Madje sot seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës i gjeti këto parti pa ndonjë marrëveshje.
Në këtë seancë megjithatë u zgjedhën kreytari i Kuvendit, Glauk Konjufca nga LVV dhe pesë nënkryetarët: Arbërie Nagavci nga LVV, Kujtim Shala nga LDK, Memli Krasniqi nga PDK, Slavko Simiq nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga komunitetet pakicë./kallxo










