Andoni: Qeveria e Kosovës po izolon me vetëdije vendin nga Shqipëria
(Lajm i përditësuar)
Andoni: Qeveria e Kosovës po izolon me vetëdije vendin nga Shqipëria
Analisti politik Ben Andoni e sheh raportin mes Shqipërisë dhe Kosovës në një prej pikave më të ftohta të viteve të fundit. Ai fajëson dy faktorë kryesorë për këtë situatë: klimën politike në Tiranë dhe një qasje gjithnjë e më të izoluar të Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, konjukturat aktuale në Prishtinë po e mbyllin vendin dhe po e largojnë me vetëdije nga bashkëpunimi institucional me Shqipërinë.
Analisti politik, Ben Andoni në ”Click” të RTV21 tha se Albin Kurti nuk e pranon lehtësisht qasjen bashkëpunuese Shqipëri-Kosovë.
Sipas tij, Kurti synon të luajë rol dominues jo vetëm në politikën e brendshme kosovare, por edhe në hapësirën më të gjerë shqiptare.
“Në mendimin tim, Tirana zyrtare, me mundësitë e saj, duhej të punonte sa më mirë për Kosovën. Por, sa po kuptoj, Kurti këtë lloj gjuhe nuk do të donte ta pranonte. Kurti do të jetë protagonist absolut, jo vetëm i vendit të tij, por edhe i pjesës tjetër të shqiptarëve,” tha Andoni.
“Ftohtësi mes Tiranës dhe Prishtinës” Ben Andoni: Në Shqipëri ka gjithnjë e më pak interes për Kosovën
Analisti politk Ben Andoni në ”Click” të RTV21 shprehu shqetësimin për ftohjen mes Tiranës dhe Prishtinës.
Sipas tij, raporti Shqipëri-Kosovë varet nga dy arsye, ”E para është faktori politik që po ndikon shumë, dhe e dyta janë konjukturat e Qeverisë së Kosovës që e kanë mbyllur Kosovën jashtëzakonisht në këto momente dhe kanë predispozitën më të madhe për ta larguar nga Tirana zyrtare”.
Andoni thekson se në vend të afrimit ideologjik mes forcave të majta në të dy vendet, po shihet një distancim i qëllimshëm që dëmton interesin mbarëkombëtar.
“Është e dhimbshme. Në Shqipëri ka gjithnjë e më pak interes për Kosovën. Për Kosovën ka gjithnjë e më shumë indiferencë në Tiranë, dhe po të mos ishte ky moment që kulmoi me pjesën e acarimit të VV-së ndaj Ramës, edhe kjo do të kalonte në pjesën patetike. Besoni që parlamenti ynë ka probleme shumë më të mëdha sesa ky. Nga viti në vit, gjithnjë e më shumë, ka një ftohtësi mes Tiranës dhe Prishtinës. E para është faktori politik që po ndikon shumë, dhe e dyta janë konjukturat e Qeverisë së Kosovës që e kanë mbyllur Kosovën jashtëzakonisht në këto momente dhe kanë predispozitën më të madhe për ta larguar nga Tirana zyrtare. Çdo lajm që lidhet me Kurtin amplifikohet nga pjesa e Berishës. Gjithçka që ka lidhje me partitë e tjera, menjëherë ka rezonancë te individët që janë me Ramën. VV-ja dhe partitë socialiste janë parti të qendrës së majtë, dhe normalisht jo vetëm që duhet të kishin një aleancë, por edhe të punonin për një ideologji. Por Rama dhe Kurti, ndonëse duken se janë të majtë, nga mënyra si veprojnë, duket se janë shumë larg njëri-tjetrit,” tha Ben Andoni.
Andoni: Rama duket sikur mezi e ka pritur këtë moment për t’i treguar vendin VV-së
Analisti politik, Ben Andoni në ”Click” të RTV21 shprehu shqetësimin për përplasjet e fundit politike mes Edi Ramës dhe Vetëvendosjes, duke i cilësuar si artificiale dhe të lodhshme për publikun në Shqipëri dhe Kosovë.
Ai thekson se ndërkohë që të dy vendet përballen me sfida tjera lidershipi po i fut qytetarët në një spirale përplasjesh të panevojshme, kur fokusi duhet të ishte tek bashkëpunimi, tregu i përbashkët.
“Rama duket sikur mezi e ka pritur këtë moment për t’i treguar vendin VV-së. Është e vërtetë ajo që ka thënë Rama për veprimet e para 10 viteve. Sipas mendimit tim, duket se Rama ka dashur ta zhvendosë vëmendjen nga problemet e shumta që kemi në Shqipëri. Por edhe reagimi i VV-së më duket i pavend. Diskursi i politikanëve bëhet i lodhshëm. Në Shqipëri dhe Kosovë po përçohen tensione artificiale, ndërkohë që kemi shumë nevojë për njëri-tjetrin. Do doja që këto debate t’i bënim për tregun e përbashkët. Kurti dhe Rama na futën në një spirale që, për mua, duket e panevojshme,” tha Ben Andoni./RTV21/21Media









