Kosova e ka të vështirë anëtarësimin në NATO për shkak të përplasjeve politike të Qeverisë me faktorin ndërkombëtar thonë njohës të çështjeve të sigurisë. Sipas tyre, sfidë tjetër është mos njohja e pavarësisë së Kosovës nga katër vendet anëtare të NATO-s. Ata i kanë sugjeruar Qeverisë që të koordinojë veprimet me faktorin ndërkombëtar për përafrimin e Kosovës drejt NATO-s. Ndërkohë, përfaqësuesit e partisë në pushtet kërkojnë nga faktori ndërkombëtar të mos bëjë kushtëzime për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtar.
Në Uashington sot nis Samiti i NATO-së i cili në fokus ka luftën në Ukrainë, por edhe situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Në Samit pritet të marr pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci. Përpara këtij samiti kryeministri Albin Kurti ka thënë se asgjë nuk i kontribuon paqes në rajon sesa anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe BE.
“Jemi të përkushtuar fort në vlerat dhe idetë që i përshkojnë këto organizata dhe nuk ka asgjë që do t’i kontribuonte më shumë paqes, stabilitetit, sigurisë dhe demokracisë në Ballkan Perëndimor dhe Evropë sesa anëtarësimi i Kosovës”, ka thënë Kurti.
Por ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, vlerëson se ushtria e Kosovës ka kohë që ka avancuar për të qenë pjesë e NATO-s dhe, siç thotë, ajo është pjesë e kontributit të paqes nëpër botë. Por, sfidë kryesore sipas tij, mbetet aspekti politik dhe ka përmendur 4 vendet anëtare të NATO-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Sepse i kemi katër shtete të NATO-s që nuk e njohin Kosovën: Spanja, Sllovakia, Rumonia dhe Greqia. Rregullat për anëtarësimin e një shteti të ri në NATO duhet që të gjitha shtetet të votojnë për”, tha Kastrati për rtv21.
Gjeneral Kastrati vë në pah edhe një shqetësim tjetër për anëtarësimin e Kosovës në NATO, siç thotë, raportet jo të mira të Qeverisë me aleatët e Kosovës.
“Kemi parë që kohëve të fundit ka ngecë kjo mbështetje sepse janë marrë disa vendime brenda Kosovës të cilat kanë qenë të dëmshme sepse nuk kanë qenë të koordinuara me partnerët tonë strategjik”, tha tutje ai.
Por, njohësi i rrethanave të sigurisë, Drizan Shala, përveç aspektit politik vlerëson se sfidë është edhe aspekti ushtarak që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s.
“FSK-ja duhet që ta përmbyllë procesin e saj të transformimit në forcat e armatosura brenda përiudhës deri më 2028. Pas kësaj përmbyllje atëherë hapet mundësia të bëhëmi pjesë përbërëse e partneritetit për paqe”, tha Shala për rtv21.
Ndër përfaqësues politikë kanë pikëpamje të ndryshme për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Partitë opozitare shprehin shqetësim se si shkak i qasjes së gabuar të Qeverisë Kosovë rrezikon që përveç në NATO-së të mos bëhet pjesë edhe e mekanizmave të tjerë ndërkombëtar.
“Ka disa vite që Kosova nuk ka asnjë hap qoftë në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare apo fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar. Nuk ka njohje të reja dhe nuk ka asnjë lëvizje në politiken e jashtme. Kjo tregon se ku jemi si Kosovë flasin mungesa e rezultateve e Qeverisë”, tha Blerta Deliu, PDK.
Kosova, në mars të këtij viti, ngriti statusin e saj në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga ai vëzhgues në në nivelin e anëtarit të asociuar.
Udhëheqësi i delegaciointi të Kosovës, deputeti i VV-së Driton Hysneni thotë se ndërkombëtarët nuk duhet ta kushtëzojnë Kosovën që të jetë pjesë e NATO-s dhe organizatave të tjera për shkak të vendimeve të Qeverisë që janë në ruajtje të territorit të vendit.
“Nuk ka proces integrues në mekanizma ndërkombëtar që është më i rëndësishëm sesa ruajtja e sovranitetin, territorit dhe funksionimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit”, tha ai.
SHBA-ja tha se Kosova mund ta dëshmojë më së miri gatishmërinë e saj për përgjegjësitë që sjell anëtarësimi në NATO, duke vazhduar zbatimin aktiv të planit 10-vjeçar të tranzicionit të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe duke mos devijuar prej tij./RTV21/21Media











