Pas një hetimi të gjerë dhe të koordinuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan, janë ndaluar pesëmbëdhjetë (15) persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim kompjuterik”, si dhe vepra të tjera të lidhura me keqpërdorimin e sistemit financiar.
Sipas njoftimit të prokurorisë, të dyshuarit – me inicialet B.B., B.S., I.A., R.I., A.H., B.J., B.B., B.M., D.G., E.G., E.A., B.M., A.M., A.I. dhe Sh.M. – dyshohet se nga janari deri në tetor të vitit 2024, në komunën e Vitisë, kanë vepruar në mënyrë të organizuar për të përfituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme.
“Hetimet paraprake tregojnë se të dyshuarit kanë shfrytëzuar një boshllëk teknik gjatë sinkronizimit të transaksioneve ndërmjet platformës E-Banking dhe ATM-ve të Raiffeisen Bank. Gjatë një periudhe prej vetëm 15 sekondash, ata kanë arritur të tërheqin shuma të ndryshme parash, duke shkaktuar një dëm material prej 186,000 euro. Përveç akuzës për mashtrim kompjuterik, ndaj të dyshuarve rëndojnë edhe akuzat për “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme” dhe “Keqpërdorim i kartelave bankare apo të kreditit”, në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka njoftuar se do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të ndaluarve, me qëllim të sigurimit të pranisë së tyre gjatë procedurave të mëtejshme penale.









