Asgjë nuk ka ndryshuar thelbësisht në Mariupol dhe trupat ruse nuk kanë qenë në gjendje të largojnë luftëtarët ukrainas, të cilët kanë injoruar dy ultimatumet e fundit për t’u dorëzuar – nga fabrika e çelikut atje.
Por kjo nuk e pengoi Vladimir Putinin të shpallte fitoren, duke uruar ministrin e tij të mbrojtjes për pushtimin me sukses të qytetit, transmeton rtv21.tv
Televizioni shtetëror e ka ritransmetuar këtë takim gjatë gjithë ditës, veçanërisht në pjesën ku Putin shpalli fitoren.
Është një pjesë e PR klasike të Kremlinit, e krijuar për të siguruar rusët se gjithçka po shkon sipas planit – jo se ata kanë nevojë për siguri, duke pasur parasysh breshërinë e përditshme të raporteve zyrtare optimiste për suksesin e “operacionit special ushtarak”.
Por, ndërsa ai dha urdhra për një strategji të re në fabrikën e çelikut Azovstal, rusët panë gjithashtu një paraqitje të rrallë të Vladimir Putinit, komandantit të përgjithshëm. Ka javë që kur ai u pa për herë të fundit duke drejtuar publikisht operacionin ushtarak.
Ndoshta Putin, i cili vazhdimisht e ka cilësuar Ukrainën dhe Perëndimin si një kërcënim për sigurinë ruse, ndjeu nevojën për të siguruar rusët se ai – personalisht – është në kontroll.
Presidenti mund të jetë përpjekur të portretizojë vendin e tij si viktimë për të justifikuar luftën e tij, por ai nuk do që dikush të mendojë se është e dobët.
Nuk është rastësi, ndoshta, që mbrëmë ai njoftoi se Moska kishte testuar një raketë balistike ndërkontinentale, e cila, siç tha ai, do t’i bënte armiqtë e Rusisë të mendoheshin dy herë./21Media









