Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami iu ka kundërpërgjigjur reagimeve të kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së Kosovës, lidhur me raportin e Bankës Botërore për Kosovën.
Derisa Qeveria dhe kryeministri Kurti thonë se Banka Botërore me vlerësim të lartë për Kosovën, Bajrami ka thënë se nuk ka progres për vendin eksperimenti i LVV-së.
“Banka Botërore po thotë që Kosova ka bërë progres dekadën e fundit, nuk po thotë që Kosova ka bërë progres dy vitet e fundit. Andaj në vend që t’i deformoni deklaratat dhe raportet e institucioneve ndërkombëtare si këtë të Bankës Botërore, është mirë të pranoni që megjithatë qeveritë e kaluara e kanë zhvilluar këtë vend. Që dy vite është radha juaj dhe eksperimentet e juaja veç progres s’po i sjellin vendit. Se sa zhvillim po bën qeveria mjafton të shihni raportet e vetë Qeverisë. Raporti financiar i tremujorit të parë të këtij viti thotë se qeveria ka shpenzuar mbi 207 milionë euro për subvencione dhe vetëm 40 milionë euro për investime kapitale. Politikat e lëmoshës nuk na shpien gjenkundi, andaj lerëni propagandën e nisjani punës”, ka shkruar ajo.
Ndërkohë, Qeveria thekson se në një komunikatë të lëshuar në fillim të kësaj jave, Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve të Grupit të Bankës Botërore, kanë thënë se ata mbështesin Kosovën në përshpejtimin e konkurrencës së saj për krijimin e vendeve të punës dhe standard më të lartë të jetesës.











