Bislimi: Kosova synon anëtarësimin në OKB, BE, NATO e Këshill të Evropës
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka deklaruar se Kosova synon anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Bashkim Evropian, në Këshill të Evropës dhe në NATO.
Këtë Bislimi e ka thënë në mbrëmjen e organizuar nga Ambasada Britanike në Kosovë për ditëlindjen e Mbretit Charles III.
Bislimi tutje tha se beson që Kosova e ka përkrahjen e Britanisë së Madhe “në aspiratat dhe rrugëtimin përpara.
“Kosova është një vend që kërkon anëtarësimin në OKB, BE, NATO, Këshillin e Evropës dhe forcimin e themeleve të demokracisë dhe lirisë, të drejtave civile dhe sundimit të ligjit. Në aspiratat dhe rrugëtimin që kemi përpara, ne kemi besim se, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve tanë perëndimorë, do t’i arrijmë qëllimet tona, pasi marrëdhëniet tona diplomatike, vizitat dypalëshe, bashkëpunimi dhe lidhjet po forcohen dita-ditës. Një lidhje më e thellë në politikë, kulturë, ekonomi, siguri, e shumë fusha të tjera”, është shprehur zëvendëskryeministri Bislimi, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit të enjtne.
Bislimi është shprehur se Britania e Madhe ka një vend të veçantë “në zemrat dhe mendjet tona”.










