Alarmi për bombë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari” rezultoi të jetë i rremë.
Policia e Kosovës për portalin rtv21.tv ka thënë se nga njësitë e specializuara janë kryer kontrolle të plota të zonës dhe nuk është gjetur asgjë e dyshimt.
“Sot rreth orës 10:30, Policia e Kosovës ka marrë një informatë ndërlidhur me kërcënimet për shpërthim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Njësitet policore u janë përgjigjur menjëherë këtyre kërcënimeve duke dalë në vendngjarje, dhe duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë. Nga njësitë e specializuara janë kryer kontrolle të plota të zonës dhe nuk është gjetur asgjë e dyshimt. Policia e Kosovës është e përkushtuar për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën. Ne vlerësojmë bashkëpunimin dhe durimin e qytetarëve si dhe personelit të aeroportit gjatë kësaj kohe”, thuet në përgjigjen e Policisë.
Bujar Gashi nga Zyra për marrëdhënie me Publikun tha se ANP ‘Adem Jashari’ LKIA është i hapur për fluturime, dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht”.
“Ju njoftojmë se pas kërcënimit për bombë janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore nga organet kompetente të Republikës së Kosovës. Kjo ka rezultuar se kërcënimi për bombë ka qenë alarm i rrejshëm. ANP ‘Adem Jashari’ LKIA është i hapur për fluturime, dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht””, ka thënë Gashi.
Alarme për bombë ka pasur edhe në të kaluarën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, përderisa të njëjtat kanë rezultuar të rreme./21Media









