Lushtaku prezantoi rekomandimet që i kanë bërë lidhur me raportin e auditimit
Raportet e auditimit për ndërmarrjet publike ishin temë debati me akuza dhe kundër-akuza në mes deputetëve në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, u tha se që nga viti 2014, janë 295 milionë euro kredi të cilat ende nuk janë tërhequr për shkak të vonesave në fillimin dhe realizimin e projekteve.
Debati nisi paradite në momentin kur në pikë të rendit të ditës erdhi raporti për stacionin e autobusëve, ku pati një debat në mes deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj dhe deputetëve të tjerë. Këta të fundit i thanë se raportet të ndërmarrjeve lokale shqyrtohen në kuvende komunale.
Deputeti Selmanaj tha se Zyra Kombëtare e Auditimit ka nisur vonë t’i auditojë këto ndërmarrje para dy vjetëve.
Atij iu ka kundërpërgjigjur deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se Driton Selmanaj e mbajti një demagogji, duke folur për rëndësinë e raportimit dhe shqyrtimit të raportit të stacionit të autobusëve, kurse tash ka ikur kur raporton auditori i përgjithshëm.
Kurse, auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani, duke prezantuar raportin vjetor të Auditimit për vitin 2017 tha se ka publikuar 118 raporte dhe se të gjitha ofrojnë informata të besueshme për shpenzimet e 2 miliardë eurove të parasë publike dhe disa fondeve të donatorëve.
Osmani bëri të ditur se shkalla e realizimit të pranimeve krahasim me buxhetin fillestar është 91 përqind, realizimi i pagesave kundrejt buxhetit fillestar ka qenë rreth 88 përqind, kjo sipas tij tregon se planifikimi fillestar i buxhetit kërkon analiza më të mira para se i njëjti të miratohet.
Ai tha se në bazë të kësaj nuk ekziston ndonjë kërcënim serioz i stabilitetit financiar. Megjithatë, ai ka përmendur tri problemet serioze, që sipas tij e ndikojnë bilancin e buxhetin. Ai bëri të ditur se 9 ndërmarrjet publike që janë audituar vitin e kaluar kanë një shumë të kredive prej 95 milionë euro, ai tha se aftësia e tyre likuiduese për kthimin e këtyre kredive është e dobët.
Nënkryetari i Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike, Mergim Lushtaku prezantoi rekomandimet që i kanë bërë lidhur me raportin e auditimit.
“Brenda tre mujorit të parë të vitit 2019 të fillojë procesin e regjistrimit të të gjitha pasurive të pronës së institucioneve publike të cilat nuk janë në regjistrat e pasurisë dhe ta përfundojë këtë brenda afateve tre vjeçar. Procesi i regjistrimit duhet të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit. Nën dy, deri në fund të vitit të hartoj programin e masave dhe të aktiviteteve për zvogëlimin e detyrimeve të papaguara dhe të kontingjenteve dhe ky program të përfshihet në kornizën afatmesme të shpenzimeve publike, në mënyrë që të reflektohet në ligjin vjetor të buxhetit për tri vitet e ardhshme. Masat duhet të rezultojnë me përmirësimin e dukshëm të disiplinës financiare dhe pagesën e detyrimeve brenda afateve, tha ai.









