Alarmi i kuq është lëshuar për pothuajse 3,000 qytete në të gjithë Brazilin, për shkak që kanë përjetuar një valë të paprecedentë të të nxehtit.
Disa qytete të Brazilit e kanë thyer edhe rekordin siç është Rio de Janeiro, ku temperaturat kanë arritur deri në 52.5°C.
Më shumë se njëqind milionë njerëz janë prekur nga i nxehti, i cili pritet të zgjasë të paktën deri të premten. Zyrtarët ia atribuojnë atë fenomenit El Niño dhe ndryshimeve klimatike.
Qyteti i Sao Paulos pa temperatura mesatare prej 37.3°C të martën pasdite, njoftoi Instituti Kombëtar i Meteorologjisë (Inmet).
“Jam i lodhur, është e vështirë,” tha Riquelme da Silva, 22 vjeç, për agjencinë e lajmeve AFP në rrugët atje.
“Kur kthehem në shtëpi është ujë i ftohtë, përndryshe nuk mund të ngrihem dot se jam shumë i lodhur, madje është e vështirë edhe të fle”.
Dora, një shitës ambulante 60-vjeçare, e përshkroi vapën si “të padurueshme” për ata që punonin jashtë. Inmet ka dhënë alarm të kuq për një pjesë të madhe të vendit. Këto tregojnë se temperaturat mund të jenë 5°C mbi mesataren për më shumë se pesë ditë dhe mund të përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin.
Vala e të nxehtit, e cila vjen më shumë se një muaj para fillimit të verës në hemisferën jugore, ka parë që konsumi i energjisë në Brazil të rritet në nivele rekord ndërsa njerëzit përpiqen të qëndrojnë të freskët.
Moti ekstrem po bëhet më i shpeshtë dhe më intensiv në shumë vende të botës për shkak të ndryshimeve klimatike.
Sipas shkencëtarëve, valët e të nxehtit po bëhen më të gjata dhe më intensive në shumë vende dhe kjo pritet të vazhdojë ndërkohë që njerëzit vazhdojnë të lëshojnë gazra serë që ngrohin planetin. Ndërkohë, Toka është aktualisht në një fazë moti El Niño, gjatë së cilës temperaturat globale zakonisht rriten./21Media









