Bugaqku: Vendimi i Supremes i pritshëm, KPK nuk zbatoi procedura ligjore
Gjykata Supreme e ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Besim Kelmendi nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit. Lënda i është kthyer Këshillit Prokurorial të Kosovës në rishqyrtim dhe rivendosje.
Vullnet Bugaqku, nga zyra ligjore e Institutit Demokratik të Kosovës konsideron se vendimi i Gjykatës Supreme ishte i pritshëm për faktin se Këshilli Prokurorial nuk i ka respektuar ashtu siç duhet dhe në tërësi procedurat ligjore për shkarkimin e një ushtruesi të detytës.
“Konsiderojmë se ky ka qenë një vendim i pritshëm, për faktin se është ditur që nga ai takim, ku është vendosur për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, se nuk janë respektuar si duhet dhe në tërësi procedurat ligjore të parapara nga ligjet përkatëse që janë në fuqi mbi çështjen e disiplinimit, por edhe të shkarkimit të një ushtruesi të detyrës. Sepse, siç e dini, nuk ka pasur kuorum në pjesëmarrjen e atij takimi, e as në vendimmarrjen për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit. Po ashtu, nuk janë respektuar as procedurat e përcaktuara sa i përket shqyrtimit të ndonjë procesi të vlerësimit, qoftë të shkeljeve disiplinore apo edhe të vlerësimit të performancës. Besoj se, mbi këtë bazë, siç e pamë, Gjykata Supreme e arsyetoi mjaft mirë faktin që, për shkak të mosrespektimit të këtyre ligjeve dhe të procedurave të parapara, vendimi si i tillë është i kundërligjshëm dhe, si rrjedhojë, e udhëzon KPK-në që t’i sanojë këto shkelje ligjore.”, tha Bugaqku./RTV21/21Media











