RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Caktohet avokati i ri i Kadri Veselit

nga Kaltrina Berila23 gusht 2024
Caktohet avokati i ri i Kadri Veselit

Administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka marrë vendim për emërimin e Rodney Dixon si avokat i ri mbrojtës i Kadri Veselit i cili po akuzohet për krime lufte nga kjo gjykatë.

Emërimi i Dixon vije pasi që Veseli dhe avokati i tij Ben Emmerson kanë ndërprerë në mënyrë të parevokueshme marrëdhënien e tyre klient-avokat.

“Në pajtim me urdhrin e Trupit Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët, për të cilin ju informuam dje (21 gusht), Administratorja e DHSK-së përfundoi përfaqësimin ligjor nga Ben Emersoni dhe emëroi Rodni Diksonin si kryembrojtës të ri të Kadri Veselit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Ndryshe, vendimi për miratimin e ndërprerjes së përfaqësimit ligjor të Emmersonit për Veselin është marrë me 21 gusht 2024.

Sipas panelit, ekipi mbrojtës i Veselit aktualisht përbëhet nga njëmbëdhjetë persona duke përfshirë avokatin, tre bashkëavokat, gjashtë anëtarë te ekipit mbështetës dhe tre praktikantë.

Vendimi thotë se Veseli dhe Emmerson kanë treguar se i akuzuari do të vazhdojë të përfaqësohet nga bashkëavokatet, Annie O’Reilly dhe Ann Roëan.

Ndërsa, në letrën e tij, Emmerson kishte theksuar se do të përpiqet të sigurojë tërheqjen e tij në atë mënyrë që të mos dëmtohet Veseli.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Kurti: E kemi parë në të kaluarën, pa marrëveshje për presidentin kot e konstituojmë Kuvendin
LAJMI TJETËR →
Kurti: E kemi parë në të kaluarën, pa marrëveshje për presidentin kot e konstituojmë Kuvendin

Më të fundit

Të gjitha →