Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Kurti takohet me Cameron: Duam që të ju ndihmojmë në rrafshin e sigurisë

nga Venera Grabanica3 janar 2024
Kurti takohet me Cameron: Duam që të ju ndihmojmë në rrafshin e sigurisë

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me  Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron, i cili po e viziton Kosovën për herë të parë.

Kurti në takim ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, Mimoza Kusari Lila dhe ambasadori i Kosovës në Mbretëri të Bashkuar, Ilir Kapiti.

Kurti i uroi mirëseardhje të veçantë në Prishtinë, Sekretarit Cameron, i cili u shpreh i lumtur që vitin 2024 po e fillon me një takim të rëndësishëm dypalësh me miken, partneren dhe aleaten e afërt të Republikës së Kosovës, Mbretërinë e Bashkuar, teksa e uroi Sekretarin Cameron për detyrën e tij të re dhe Vitin e Ri 2024..

“Në takim u theksua vlera edhe rëndësia e marrëdhënieve të forta bilaterale ndërmjet dy shteteve, teksa u diskutua për fushat dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit dypalësh në shërbim të interesave të përbashkëta dhe të fuqizimit të raporteve të ndërsjella.Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Cameron me progresin dhe arritjet e Kosovës, veçanërisht në tri vitet e fundit, sa në aspektin ekonomik ashtu edhe demokratik e të sundimit të ligjit. Foli për sukseset dhe sfidat e vitit 2023 dhe përkushtimin e tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillim ekonomik krahas luftimit të krimit dhe korrupsionit, ngritje të mirëqenies së qytetarëve përmes punësimit dhe politikave të duhura sociale, dhe garantim të sigurisë dhe paqes në vend përballë sjelljes agresive dhe kërcënuese të Serbisë”, bëhet e ditur në komunikatën e kryeministrisë.

Tutje Kurti e falënderoi Sekretarin Cameron për kontributin e tij edhe sa ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë Kosovës në çlirimin, pavarësimin, demokratizimin, zhvillimin e brendshëm dhe integrimin ndërkombëtar, dhe tash së fundmi në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit me Serbinë me zbarkimin e 200 ushtarëve britanikë në tetor të vitit të kaluar në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë.

Sekretari Cameron shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen në këtë vizitë, që përveçse është e para e tij në Kosovë, është edhe e para për të jashtë vendit për vitin 2024. Ai u shpreh krenar për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës dhe për vendimin dhe qëndrimin për ta njohur sovranitetin dhe pavarësinë e saj.

“Unë jam këtu për të përforcuar faktin që ne ju mbështesim juve. Duam që të ju ndihmojmë në rrafshin e sigurisë, atë të zhvillimit ekonomik, të qeverisjes dhe në të gjitha çështjet me të cilat përballeni. Kemi qenë mbështetës afatgjatë të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë”  tha ai në fillim të takimit.

Kjo është vizita e parë e një Sekretari të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë që prej vitit 2016. Në Prishtinë, Sekretari Cameron po shoqërohej nga i dërguari i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach dhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.


Cameron mbërrin në Kosovë, pritet në aeroport nga Gërvalla

Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka mbërritur në Kosovë ku është pritur nga homologia e tij, Donika Gërvalla.

Vizita e Cameron do të jetë njëditore, ku përveç me Gërvallen, ai do të takohet edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

“Kryediplomati David Cameron është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nga zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me të cilën do të zhvillojë takim ditën e nesërme duke filluar nga ora 08:30 në zyrat e MPJD-së”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Cameron ka qenë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010-2016 ndërsa aktualisht ushtron detyrën e ministrit të Jashtëm.

LAJMI TJETËR →
Formimi i qeveris ne zgjedhjet e fundit ende nuk po behet, partite politike fajesojn njera tjetren

Më të fundit

Të gjitha →