Çeku shpreh keqardhje për anulimin e konkursit për blerjen e veprave të artit
Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrulla Çeku ka shprehur keqardhjen e tij për anulimin e konkursit për blerjen e veprave të artit.
Çeku ka sqaruar procedurën e anulimit të këtij konkursi, ku ka thënë sa i përket Programit të Ringjalljes Ekonomike, kanë krijuar pritshmëri të gabuar.
“Programin për blerjen e veprave të artit e kemi nisur me qëllimin më të mirë. Megjithatë, duke e përfshirë brenda Programit të Ringjalljes Ekononike kemi krijuar pritshmëri të gabuar. Do të duhej ta komunikonim më mirë në publik konceptin e programit. Gjithashtu, ankesat për konflikt interesi që i kemi pranuar kërkonin periudhë shtesë shqyrtimi. Këtë kohë nuk e kishim, pasi jemi në fund të vitit dhe brenda pak ditësh mbyllen edhe sistemet e pagesave. Për shkak se fondi përkatës i ringjalljes mund të përdoret vetëm sivjet, për shkaqe procedure kërkohej edhe anulimi formal i kësaj thirrje”, ka thënë Çeku.
Tutje, ministri e ka cilësuar si të papranueshëm sulmin ndaj artistëve pjesë të listes së mëparshme.
“Sulmet ndaj artistëve që kanë qenë në listën e përfituesve dhe ndaj anëtarëve të komisioneve përzgjedhëse janë totalisht të papranueshme. Fushata denigruese dhe kërcënimet që nisën nga momenti i shpalljes së listës janë veprime të ulëta”, shtoi Çeku.
Çeku njoftoi se thirrja se radhës do të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm.
“Menjëherë kemi filluar punën për thirrjen e radhës, e cila do të shpallet në fillim të vitit të ardhshëm. Do të jemi të kujdesshëm, kemi nxjerrë mësimet tona. Blerja e veprave të artit nga shteti do të jetë praktikë e rregullt viteve në vijim dhe me buxhet të shtuar”, tha ministri./21Media










