Deputetët e zgjedhur të PDK-së mblidhen para vazhdimit të seancës
Deputetët e zgjedhur të Partisë Demokratike të Kosovës janë mbledhur para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit. Ata kanë deklaruar se aty do të vendosin se si do të veprojnë tutje.
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se qëndrimin e tyre do ta marrin para se të hynë në seancë.
“Ka edhe gjysmë ore kohë po presim por qëndrimin e marrim kur të jemi para se me hy në seancë”, tha ai.
Edhe Ariana Musliu-Shoshi dhe Elmi Reçica thanë se tha se vendimin do ta marrin në takim.
“Tani e kemi takimin me gripin parlamentar dhe do ta kemi një vendim final. Ende nuk jemi taku e kemi takimin dhe do ta marrim vendimin”, tha Musliu Shoshi.
“Do ta marrim një qëndrim në grup parlamentarë e kemi një takim para seancës”, tha Reçica
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen edhe sot më 17 prill për të vazhduar seancën konstituive.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i dërgoi letër presidentes më 16 prill përmes së cilës i kërkoi sugjerime për veprime tutje.
Presidentja kujtoi rregulloren e Kuvendit dhe tha se seanca duhet të vazhdojë brenda 48 orësh.
Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë votimit të kryeparlamentarit e më pas qeverisë së re.
Deri më tash, LVV-ja si parti fituese nuk e ka bërë të ditur emrin që do ta propozojë për kryetar të Kuvendit dhe as nëse i ka numrat për ta votuar atë.











