Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Dështon përpjekja e 26-të për konstituimin e Kuvendit

nga Venera Grabanica4 qershor 2025
Dështon përpjekja e 26-të për konstituimin e Kuvendit

(Lajm i përditësuar)


Dështon përpjekja e 26-të për konstituimin e Kuvendit

Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituuar as në tentimin e 26-të. Megjithatë, në këtë përpjekje ka pasur një dakordim.

Deputetët janë pajtuar që seanca e ardhshme të mos mbahet të premten dhe të pushojnë për festën e Bajramit.

Për herë të parë, vazhdimi do të mbahet qysh të nesërmen. Pra përpjekja e 27-të do të mbahet të enjten.


​Hasani: Kam pasur kërkesa nga LVV-ja, nuk e meritojnë votën

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani deklaroi se nuk e voton një qeveri të Vetëvendosjen, teksa shtoi se kjo parti “nuk është treguar korrekt ndaj procesit të Gjykatës Speciale në Hagë”.

Ai ka pranuar se ka pasur kërkesë për mbështetje nga Lëvizja Vetëvendosje, por tha se qëndrimi i tij ka qenë kundër.

Para fillimit të seancës konstituive, e cila është përpjekja e 26-të për konstituim, Hasani tha se nga fillimi i fushatës e ka bërë të ditur qëndrimin e tij.

“Nuk jemi armiq ne, jemi kolegë në Kuvend. Bisedojmë për halle tona të përditshme, për gjendjen politike, për angazhimet për të gjitha… Ju kam dhënë përgjigjen që në fillim të fushatës e kanë qëndrimin tim, nuk do ta votojë një qeveri me Vetëvendosjen, për shkak se nuk janë treguar korrekt ndaj procesit të Gjykatës Speciale në Hagë”, deklaroi Hasani.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje duhet të bëjë kompromis.

“Po shpresojmë, zgjedhjet lokale katër muaj kanë mbetur nga procesi. Nëse nuk ndryshon një gjë, është mjerim politik i partive politike por edhe kryetarëve vetvetiu, ata duhet të gjejnë zgjidhjen, zgjedhja është te ta, jo te deputetët, nuk kanë nevojë të ngarkohen deputetët, ata duhet të marrin qëndrimin. Për hir të Kosovës duhet ta bëjnë edhe kompromisin, edhe partia e parë edhe të tjerat”, shtoi ai.

Ai ka pranuar se ka pasur kërkesa për takim nga Lëvizja Vetëvendosje, por shtoi se e ka bërë të ditur qëndrimin e tij kundër.

“Kam pasur kërkesa, jo si oferta, si mbështetje. Kanë kërkuar që të mbështeti ju kam thënë që nuk ka një mundësi… Ato janë biseda që kemi pasur për burgun e Dubravës, ka qenë një ndjenjë e dhimbshme e një vrasje e një masakre që ka ndodhë në majin e 99. Ne kemi biseduar për të gjitha problemet, por nuk është ajo një çështje që ka dominuar aty. Nuk e meritojnë votën pikërisht për mos mbështetjen e Gjykatës Speciale, atje nuk është Hashimi por atje është presidenti i vendit, është UÇK-ja, është Kosova. Duhet t’i mbrojmë, kjo ka qenë kërkesa ime. Ata që e përmbushin këtë kërkesë, i mbështes”, përfundoi ai.

Deputetët sot do të provojnë për të 26-ën herë ta konstituojnë Kuvendin.


Simiq: Ata që kanë organizuar protesta të dhunshme, janë në qeveri

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se ata që kanë organizuar protesta të dhunshme këtu në Prishtinë dhe kanë djegur automjete ndërkombëtare, ata janë në qeveri.

“Fakti është se gjithmonë kemi bërë thirrje për paqe, do të vazhdojmë të bëjmë thirrje për paqe, do t’i përgjigjemi thirrjes, jo sepse besojmë se është një proces i drejtë, por sepse e dimë që gjithmonë kemi kërkuar paqe dhe nuk kemi bërë asgjë të paligjshme, ndërsa ata që kanë organizuar protesta të dhunshme këtu në Prishtinë dhe kanë djegur automjete ndërkombëtare, ata janë në qeveri,” u shpreh Simiq.


Bogujevci: Deputetët e partive tjera kanë shprehur gatishmëri për votim të fshehtë

Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, ka deklaruar se Kushtetuta e përcakton qartë që deputetët duhet të marrin pjesë në votim dhe jo të abstenojnë.

“Domethënë që 18 herë nuk flitet për emër, për kryetar apo kryetare po për komisionin zgjedhor për votim të fshehtë. Dhe është e përcaktuar qartë me Kushtetutë ku thuhet se duhet marrë pjesë në votim përkundër abstenim. Nëse duam të ecim përpara, atëherë deputetët duhet me votu si e përcakton Kushtetuta,” tha Bogujevci.

Ajo shtoi se pritet edhe një mendim nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje, por shprehu bindjen se rregullat janë të qarta dhe nuk ka dilema mbi procedurën.


Limaj për deklaratat e Kurtit, ‘’Nuk ka ndodhur diçka e re’’

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj para fillimit të seancës konstituive ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë Albin Kurtit  të bërë dje rreth propozimit të tij për kryetar të Kuvendit.

Limaj tha se ai nuk ka thënë diçka të re dhe sipas tij po shihet në 26 seancat konstituive.

‘’Nuk ka ndodhur diçka e re dje, ajo se çka unë mundem me thënë është se vendi duhet me pas një shumica parlamentare, me pas institucione’’, tha Limaj.


Përpjekja e 26-të për konstituimin e Kuvendit

Sot nga ora 10:30 për herë të 26-të do të tentohet të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Kjo seancë po vazhdon çdo 48 orë që nga 15 prilli.

Lëvizja Vetëvendosje e kanë përsëritur se nuk heqin dorë nga propozimi i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare. Kreu i kësaj partie, Albin Kurti tha të martën se propozimi i tyre mbetet i njëjti.

Tashmë për disa seanca me radhë deputetët po refuzojnë të formojnë një komision për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit. Votimi i fshehtë është propozuar nga kryesuesi I seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, por është refuzuar nga partitë e tjera parlamentare.

Ideja për votim të fshehtë ka ardhur pasi kandidatja e partisë së parë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa, Albulena Haxhiu nuk po arrin t’i marrë 61 votat e nevojshme për kryeparlamentare.

Çështja e votimit të fshehtë tashmë është edhe në Gjykatën Kushtetuese pasi është dërguar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e mbështetur edhe nga partitë e tjera që deri më tash ishin në opozitë.

Lëvizja Vetëvendosje po insiston në kandidaturën e Haxhiut, ndërkaq, partitë e tjera kanë deklaruar se nuk e mbështesin atë për kryetare të Kuvendit.

Thirrje për zhbllokim të ngërçit politik janë bërë brenda dhe jashtë Kosovës.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mbajtur një takim më 15 maj me përfaqësues të partive politike, por as aty nuk ka pasur pajtim rreth konstituimit të Kuvendit.

Vazhdimi i seancës konstituive sot, më 4 qershor, pritet të bëhet nga ora 11:00.

Kuvendi do të mund të konstituohet vetëm pasi të zgjedhet kryetari dhe pesë nënkryetarët.

Më pas, i hapet rruga formimit të qeverisë së re.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, asnjë parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →