Djajtë e kuq mposhtin me lehtësi Evertonin e dënuar me dhjetë pikë
Everton ka pësuar disfatë para shikuesve të vet sot në përballje me Manchester United 0:3, në kuadër të javës 13 të Premier Ligës angleze në futboll.
Tifozët vendës në “Goodison Park” përjetuan dush të ftohtë qysh në minutën e tretë kur Alejandro Garnacho shënoi golin e parë për Manchester United, pas asistimit të Dalot.
Marcus Rashford në minutën 56 të pjesës së dytë ngriti epërsinë e mysafirëve në 2:0 përmes penalltisë.
Shpresat e vendësve për të rikthyer rezultatin i shoi Anthony Martial me golin e tretë në minutën 75, pas asistimit të Bruno Fernandes. Martial gjithsej ka shënuar katër gola në Premier Ligë në 2023, dhe dy kanë qenë kundër Evertonit.
Kjo është fitorja e parë e Manchester United me më shumë se një gol këtë sezon.
Pas kësaj fitoreje, e shtata në këtë sezon, Manchester United renditet në pozitën e 8-të me 22 pikë, ndërsa Everton në pozitën e parafundit (19) me vetëm katër pikë, po aq sa ka edhe Burnley në fund të tabelës. Prin Arsenal me 30 pikë, një më shumë se Manchester City në pozitën e dytë.
Ndryshe, Everton është dënuar me dhjetë pikë për shkak të shkeljes së rregullave të qëndrueshmërisë dhe përfitimeve të Premier Ligës.










