Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaBota
🌍 Bota

Donald Trump Jr. dëshmon në gjyqin për mashtrim financiar kundër babait të tij

nga Venera Grabanica1 nëntor 2023
Donald Trump Jr. dëshmon në gjyqin për mashtrim financiar kundër babait të tij

Donald Trump Jr., djali i ish-presidentit amerikan Donald Trump, tha të mërkurën se kishte rol shumë të vogël në financat e kompanisë së familjes Trump gjatë dëshmisë së tij në gjyqin ku ish-presidenti Trump akuzohet për mashtrim financiar.

Trump dhe kompania e tij akuzohen se i kishin fryrë vlerat e aseteve të kompanisë për të siguruar hua të favorshme nga bankat.

Donald Jr., zëvendëspresident ekzekutiv në Trump Organization dhe i pandehur në rastin e mashtrimit financiar, është fëmija i parë nga fëmijët e rritur të Trumpit që dëshmon. Pas tij do të dëshmojnë edhe Ericc dhe Ivanka Trump.

Babai i tyre do të dëshmojë të hënën.

Donald Jr. tha se ai dhe Ericu e morën në dorë menaxhimin e kompanisë kryesisht kur babai i tyre u zgjodh president në vitin 2017. Por, ai tha se ishte përfshirë shumë pak në çështjet financiare të cilat janë në qendër të këtij rasti.

Prokurorja e Nju Jorkut Letitia James ngriti padi civile ndaj Trumpit, dy djemve të tij për fryrjen e aseteve miliarda herë më shumë seç vlenin, në mënyrë që të siguronin hua më të mira.

Prokurorja James kërkon ndëshkime në vlerë 250 milionë për Trumpin dhe përjashtimin e tij dhe djemve të tij nga udhëheqja e perandorisë familjare të biznesit.

Ky rast është vetëm njëri nga disa sfidat gjyqësore me të cilat po përballet Trumpi, i cili po i prin garës së republikanëve për kandidat për president të SHBA-së në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Trumpi do të dalë para gjykatës federale në Uashington më 4 mars 2024, nën akuzat se kishte tentuar ta përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden.

Ai do të kthehet pastaj në gjykatën e Nju Jorkut, këtë herë për t’u përballur me akuzat se e kishte paguar një yll të pornografisë për të heshtur, dhe më pas në gjykatën federale të Floridës, ku akuzohet se i kishte keqpërdorur dokumentet e klasifikuara pasi ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë.

Dhe në fund, Trumpi do të përballet me akuza për përpjekjet e tij për ta kthyer në favorin e vet rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias./rel

ETIKETA:#Bota#Lajme
Kane shënon dy herë, Anglia mposht Kroacinë 4-2 në Botëror
LAJMI TJETËR →
Kane shënon dy herë, Anglia mposht Kroacinë 4-2 në Botëror

Më të fundit

Të gjitha →