E përvëloi për vdekje të bijën 4-vjeçare, nëna kosovare dënohet me burgim të përjetshëm në Gjermani
Një nënë 25-vjeçare nga Kosova është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjermani, pasi vajza e saj katërvjeçare vdiq shkaku i përvëlimit të qëllimshëm si formë ndëshkimi, ndërkohë që nëna nuk e dërgoi në spital për t’i trajtuar plagët që çuan në vdekjen e saj pas 12 ditësh.
Sipas gjykatës, në gusht të vitit 2022, ajo kishte larë qëllimisht të bijën në apartamentin e saj në Grasberg afër Bremenit me ujë aq të nxehtë sa fëmija pësoi djegie me rrezik për jetën. Meqenëse kishte supozuar se fëmija nuk kishte sigurim shëndetësor, ajo nuk e kishte trajtuar të bijën fare te mjeku.
Kosovarja, e lindur në Gjermani, e ka trajtuar fëmijën “krejtësisht në mënyrë joadekuate”, duke e lyer me pomadë dhe fasha. Edhe pasi nëna e tre fëmijëve e kishte kuptuar se katërvjeçarja po përkeqësohej gjithnjë e më shumë, ajo “e kishte lënë atë në fatin e saj” dhe më në fund ka pranuar edhe mundësinë për vdekjen e saj, thuhet në akt-gjykim.
Vajza ka vdekur 12 ditë pas përvëlimit. Në atë kohë, një e treta e lëkurës ishte e nxirë, tha kryetari i trupit gjykues. Fëmija ka vuajtur në mënyrë “të pabesueshme”.
Gjatë gjykimit, e pandehura ka thënë se e ka kuptuar shumë vonë që uji ishte shumë i nxehtë. Gjithashtu ajo ka pretenduar se plagët janë shkaktuar nga vetë vajza. /21Media









