Gjenden mbetje mortore në Prishtinë, dyshohet se i takojnë kohës së luftës
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se të enjten janë lokalizuar mbetje mortore të një individi në lagjen “Matiçan” në Prishtinë, që dyshohet se i takojnë kohës së luftës.
Ajo në Facebook ka shkruar se mbetjet do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve shtesë “me qëllim të identifikimit”.
Haxhiu po ashtu ka thënë se në vendin e njëjtë gjatë majit janë gjetur mbetje mortore edhe të një individi.
“Sot, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, në bashkëpunim me KQPZH dhe Policinë, kanë lokalizuar mbetjet mortore të një individi në lagjen Matiçan në Prishtinë, të cilat dyshohet se i takojnë kohës së luftës. Mbetjet skeletore do të dërgohen në IML ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve shtesë me qëllim të identifikimit. Në vendin e njëjtë gjatë muajit maj në të njëjtin vend ishin gjetur mbetjet mortore edhe të një individi”, ka shkruar Haxhiu./21Media











