Gjykata Kushtetuese vendos për seancën konstituive të Kuvendit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për refuzim të formimit të Komisionit për votim të fshehtë, të parashtruar nga Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.
Sipas këtij vendimi, brenda një muaji duke nisur nga sot deputetët e zgjedhur kanë 30 ditë të konstituojnë Kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit- zgjedhjen e kryetarit të ri dhe nënkryetarëve të rinj.
Gjykata ka vendosur njëzëri:
I. Të deklarojë kërkesën të pranueshme;
II. Të konstatojë që:
1. Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar dhe si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe
2. Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit të nenit 66 në ndërlidhje me nenin 67 , nenin 70 dhe nenin 74 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur.
Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.
III. TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;
IV. T’ua kumtojë këtë Aktgjykim palëve;
V. Ta publikojë këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20
(Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
VI. Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.











