Gjykata lëshon urdhërarrest për Marko Roshiqin i dënuar për vrasjen e Ivanoviqit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest për Marko Roshiq, njëri nga katër të dënuarit për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Kjo është konfirmuar për RTV21 nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
“‘Gjykata pas informimit nga Policia Kosovës, se nuk kanë mundur ta ekzekutojnë vendimin e gjykatës, menjëherë ka lëshuar Urdhër-arrest, për sigurimin e prezencës së të akuzuarit dhe dërgimin e të njëjtit në paraburgim. Tani rasti është me Urdhër-arrest për arrestimin e këtij të akuzuari, e të cilin urdhër e ka në zbatim Stacioni Policor në Mitrovicë.”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Roshiq është arratisur pas gati dy javë ditësh që kur iu shpall vendimi.
Aktgjykimi për Roshiq është shpallur me datë 28.06.2024, kur e ka dënuar me 10 vite burgim.
“I akuzuari M.R është njoftuar për datën dhe kohën e shpalljes së aktgjykimit. I njëjti nuk ka qenë prezent në shpallje të aktgjykimit, pasi që nuk është obligative pjesëmarrja në shpalljen e aktgjykimit. Gjykata me rastin e shpalljes së aktgjykimit nuk ka mundur ta arrestoj, pasi që i njëjti nuk ka qenë prezent në sallën e gjykimit edhe përpos faktit se ka qenë i njoftuar për datën dhe kohën e shpalljes. Me aktgjykimin e shpallur, gjykata i ka caktuar të akuzuarit M.R edhe masën e paraburgimit, ku po me datë 28.06.2024, ka marrë aktvendim të posaçëm me të cilin të akuzuarit i është caktuar masa e paraburgimit. Aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit, gjykata përmes e-mail ia ka dorëzuar: Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, Avokatit Mahmut Halimi dhe të akuzuarit M.R (përmes postës). Të gjithë këta të apostrofuar kanë konfirmuar pranimin e vendimit, përpos për të akuzuarin M.R, nuk kemi ende konfirmim nga posta, nëse e ka pranuar vendimin apo jo. “, thuhet paraprakisht në njoftim./21Media











