Halimi i reagon Kurtit: Diplomacia kosovare është në qorrsokak
Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, i ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili sot ka thënë se Qeveria Hoti e kishte vendosur moratorium për aplikim në organizata ndërkombëtare.
“Është kundër logjikës të lavdërohesh për suksese në diplomaci, në një kohë kur Kosova është nën masa shtrënguese, pikërisht nga aleatët e saj. E kryeministri Kurti, në vend se të lëvizë në kahun e duhur për t’ia hequr sanksionet që i prekin drejtpërdrejt qytetarët kosovarë, ai shfaqet me krekosje! Në dy vite e gjysmë mandat, nuk patëm asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. E ta cilësosh aplikimin për sukses është absurditet. Nëse i kujtojmë gafat e panumërta të zëvendëskryeministres Gërvalla në deklaratat e saj të pamatura dhe të dëmshme për vendin, atëherë mund të konkludojmë se diplomacia kosovare është në qorrsokak!”, ka thënë Halimi.









