Hapet pikëkalimi i përbashkët kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë përuruar pikën e përbashkët të kalimit kufitar “Hani i Elezit – Bllacë”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se tash e tutje qytetarët do të kontrollohen vetëm në hyrje të vendit pritës.
“Krijimi i pikave të përbashkëta është më shumë sesa infrastrukturë kufitare. I iniciuar në vitin 2021, modeli i ri i pikëkalimit kufitar në Ballkan është shembull i përparimit konkret dhe praktik dhe dëshmon rritjen e mirëbesimit. Tash e tutje qytetarët do të kontrollohen në hyrje të vendit pritës”, theksoi Kurti.
“One Stop Shop”, Kurti: Policët tanë do të punojnë krahë për krahë me njëri-tjetrin
Kjo pikëkalim kufitare është më e frekuentuara, ku çdo vit kalojnë rreth 4 milionë udhëtarë.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, u shpreh se integrimi është vizion i tyre.
Mexhiti: Sot nisim një histori të re, po hedhim hapin e radhës drejtë konceptit “Evropa pa kufijë”
Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, theksoi rëndësinë e pikëkalimit të përbashkët kufitar.
“Kufiri nuk duhet të jetë mur – mund të jetë urë e përbashkët që lidh mundësitë dhe idetë. Një urë përmes së cilës do të kalojnë miliona qytetarë. Ne nuk ndërtojmë vetëm infrastrukturë, por edhe besim të ndërsjellë,” tha ai.
Mickoski: Kufiri nuk duhet të jetë mur, por duhet të jetë urë e përbashkët
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se pika e përbashkët kufitare është një hap i rëndësishëm për të dy vendet, duke mundësuar qarkullim më të lehtë.
“Qytetarët tanë, gjatë kalimit, do të kenë vetëm një ndalesë kontrolli, që do të minimizojë pritjet e tyre,” u shpreh Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, tha se pikëkalimi i përbashkët kufitar do të ndihmojë zhvillimin e tregtisë dhe shkëmbimeve ekonomike.
“Qëllimi është i qartë: kalim më i lehtë, më i sigurt dhe më i shpejtë. Që do të thotë një kontroll në vend të dy kontrolleve. Pikëkalimi kufitar Hani i Elezit – Bllacë është më i frekuentuari. Po hapim kapituj të rinj: tregti më të mirë dhe miqësi më të fortë mes dy shteteve.”
“One Stop Shop”, Toshkovski: Kalim më i lehtë, më i sigurtë dhe më i shpejtë për udhëtarët
Ky pikëkalim i përbashkët është një nga dy pikat kufitare të parashikuara sipas Protokollit për Zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë, i nënshkruar në nëntor 2024 në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.











