Haradinaj: Aktivizimi i sistemit mbrojtës për vreshtat, i nevojshëm për Rahovecin
Kryeministri paralajmëroi se do të vazhdojë vizitat në të gjitha komunat
Krijimi i Zonës Ekonomike në Komunën e Rahovecit është lajm i mirë për bizneset e kësaj komune, për zhvillimin ekonomik, por edhe për të punësuarit. Kështu ka deklaruar sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë vizitës që i bëri disa fshatrave të Komunës së Rahovecit.
I shoqëruar nga kryetari i Komunës, Smajl Latifi, kryeministri ka vizituar Zonën Ekonomike mbi Opterushë, e cila me vendim të Qeverisë është shpallur zonë e lirë ekonomike, me qëllim që të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të kësaj ane përmes ofrimit të lehtësirave për bizneset.
Ai ka vizituar edhe palestrën e sportit në Rahovec për të parë nga afër punimet të cilat janë në përfundim e sipër, për ta vazhduar vizitën te vreshtat e dëmtuara nga breshëri, në fshatin Fortesë-Pataqan i Poshtëm si dhe dëmet që i janë shkaktuar nga breshëri fermerit Ismajl Morina nga fshati Gexhë, në rreth 10 hektarë tokë të mbjella, derisa në fund të qëndrimit të tij në Rahovec, kryeministri Haradinaj vizitoi përroin në mes fshatrave Krushë e Madhe-Celinë. “Qeveria do të përshpejtojë dhënien e subvencioneve që të paktën t’iu dalë në ndihmë fermerëve të kësaj ane dhe banorët e Rahovecit do ta kenë përkrahjen e qeverisë për realizimin e të gjitha projekteve me rëndësi për qytetarët e kësaj Komune”, tha Haradinaj.
Ndërsa, kryetari Smajl Latifi tha se komunës që ai drejton i janë shkaktuar dëme në bujqësi, amvisëri dhe infrastrukturë publike. “Kërkojmë ndihmën e qeverisë për trajtimin e veçantë të përroit problematik mes fshatrave Krushë e Madhe dhe Celinë, i cili po kërcënon jetën e banorëve dhe të amvisërisë në këto fshatra”, tha ai.
Ndryshe, Haradinaj paralajmëroi se do të vazhdojë vizitat në të gjitha komunat, për të punuar me kryetarët e komunave në zgjidhjen e problemeve me të cilat ato përballen.








