Haxhiu: Opozita përgjegjëse për bllokimin e konstituimit të Kuvendit
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka akuzuar partitë opozitare për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke deklaruar se pengesat vijnë nga kërkesat dhe veprimet e tyre në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Para gazetarëve Haxhiu ka thënë se Rregullorja nuk lejon debat gjatë seancës konstituive, dhe për këtë arsye nuk mund të ketë diskutime mes partive politike brenda saj, duke iu përgjigjur LDK-së e cila pretendon se ftesa e kryesuesit Avni Dehari për konsultë gjatë seancë konstituive është jashtë procedurave.
Sipas Haxhiut qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kërkoi sërish dorëheqjen e ministrave në detyrë ishte befasi. Ajo sqaroi se dorëheqjet janë dhënë para mbajtjes së seancës konstituive të martën dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është njoftuar për këtë para certifikimit të rezultateve.











