Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se dorëheqja e Qeverisë Kurti është “shpëtim” për stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit.
Duke folur për performancën në ekonomi të Qeverisë Kurti, Hoti tha Kosovës i mungojnë rreth 500 milionë euro investime kapitale
“Shpenzimet për çështje ekonomike gjatë vitit 2022 kanë rënë dukshëm krahasuar me vitin 2019, që është viti para pandemisë. Kjo e fakton argumentin se ekonomisë së Kosovës i mungojnë rreth 500 milionë euro investime kapitale, të cilat kanë prodhuar efekte multiplikuese negative në të ardhura dhe rritje ekonomike”, ka shkruar Hoti në një postim në Facebook.
Ai tha se kjo mungesë është arsyeja që rritja ekonomike, matur në periudha tremujore, ka qenë me trend rënës nga tremujori i dytë i vitit 2021, “që është koha kur kjo qeveri ka nisur punën”.
“Dorëheqja është shpëtim për stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit”, shtoi ish-kryeministri. /21Media











