Hovenier pas takimit me Osmanin: Jemi të shqetësuar për situatën në veri
(Lajm i përditësuar)
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka theksuar nevojën për de-eskalimin e situatës në veri.
Ambasadori Hovenier pas takimit me presidenten Vjosa Osmani të hënën, është shprehur thellësisht i shqetësuar për mundësitë e dhunës në katër komunat veriore, derisa nënvizoi sërish se institucionet e Kosovës duhet të shmangin rrethanat kur kryetarët e komunave hyjnë në ndërtesa publike përmes përdorimit të forcës.
“Sapo u takova me presidenten Osmani me kërkesë të saj, ne folëm për situatën e tanishme në veri dhe shqetësimin tonë të përbashkët për mundësinë e dhunës dhe nevojën për de-eskalim. Unë kam pasur një takim më herët së bashku me kolegun tim ambasadorin Szunyog, ne i kishim ftuar të katër kryetarët e komunave nga veriu i Kosovës të na bashkohen, kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveqanit na u bashkuan dhe ne biseduam me ta edhe për situatën, ne jemi thellësisht të shqetësuar, do e përsëris, nuk është mister që qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe qeveritë e QUINT-it kanë thënë të gjitha se ne besojmë se është e rëndësishme të shmangim rrethanat kur zyrtarët publikë hyjnë në ndërtesa publike përmes përdorimit të forcës, ky mbetet qëndrimi ynë”, theksoi ai.
Ambasadori amerikan tregoi para gazetarëve edhe për takimin e tij me kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqirin dhe atë të Zveçanit, Ilir Peci, ku tha se diskutimi i tyre është fokusuar në mënyrën sesi ata t’i përmbushin detyrat e tyre ndaj të gjithë qytetarëve.
Ndërkaq, tha se nuk mund të flas pse nuk i kanë pranuar ftesat dy kryetarët e tjerë të komunave veriore, Erden Atiq nga Mitrovica e Veriut dhe Lulzim Hetemi nga Leposaviqi, të cilën vijnë nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
“Diskutimi ynë me kryetarët e komunave është se si ata mund të përmbushin detyrat e tyre për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të tyre, ashtu siç pritet, dhe siç duam ne, por në një mënyrë që tregon interesin e tyre për të qenë të përgjegjshëm ndaj të gjithë qytetarëve të tyre, gjë që ne besojmë tani për tani do të thotë të mos hyjnë në ndërtesat e tyre përmes përdorimit të forcës”, shtoi ai.
Në anën tjetër, Hovenier tha se do të ishte i lumtur të takohej edhe me kryeministrin Albin Kurti, por ai tashmë është në udhëtim zyrtar.
“Do të isha i lumtur të takohesha me kryeministrin Kurti kur të është e përshtatshme për të, e kuptoj se ai tashmë mund të jetë duke udhëtuar”, theksoi ai.
Përfundon takimi i ambasadorit të SHBA-së me Osmanin
Ekipi i RTV21 nga terrini kanë konfirmuar se takimi i ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier dhe Vjosa Osmanit ka përfunduar.
Ambasadori i SHBA-së në takim me Osmanin
Pas takimit me kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe të Zveçanit, Ilir Peci, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier ka shkuar në takim te presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
RTV21 raporton se edhe shefi i AKI-së, Petrit Ajeti iu është bashkuar ambasadorit në takim me presidenten.
Përfundon takimi i Hovenierit me kryetarët e komunave veriore
Ka përfunduar takimi ndërmjet ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier dhe kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe atij të Zveçanit, Ilir Peci.
Aty nuk janë parë kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi dhe ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Ky takim ka ardhur si pasojë e situatës së krijuar në veri te vendit.
RTV21 raporton se ambasadori nuk u prononcua për media dhe është larguar nga zyra e BE-së.
Ai është nisur për në takim te presidentja Vjosa Osmani, derisa kreyarët veriorë po e vazhdojnë takimin me shefin e zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog.
Fillon takimi i Hovenierit me kryetarët e komunave veriore
Ka filluar takimi i ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, me kryetarët e komunave veriore.
Hovenier dhe kryetarët e Zubin Potokut e Zveçanit arrijnë në takim
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, do të takohet me kryetarët e komunave veriore.
Hovenier, Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci tashmë kanë arritur në takim.
Ky takim po mbahet në Zyrën e Bashkimit Evropian.
Kryetarët e komunave veriore sot takohen me ambasadorin Hovenier
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, sot do të zhvillojë një takim me kryetarët e komunave veriore.
Bëhet e ditur se takimi do të zhvillohet në Prishtinë, me fillim nga ora 09:00.
Një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it gjendet para objekteve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut.
Janë vendosur edhe rrethoja me tela përgjatë perimetrit të objekteve të komunës. Ndërsa një numër i qytetarëve ka filluar të grumbullohet.
Për të hënën janë paralajmëruar protesta në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicës e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok.











