IEA: Jemi gati të lirojmë naftë nga rezervat e emergjencës
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) është gati të lirojë naftë nga rezervat e emergjencës nëse është e nevojshme, tha Drejtori Ekzekutiv Fatih Birol, duke sinjalizuar se ata janë gati të ndërhyjnë për të zbutur pasojat e sulmit izraelit ndaj Iranit.
“IEA po monitoron në mënyrë aktive ndikimin e situatës izraelito-iraniane në tregjet e naftës,” shkroi Birol në X.
Tregjet aktualisht janë të furnizuara mirë dhe IEA është gati të ndërhyjë nëse është e nevojshme, shtoi kreu i agjencisë këshillimore të energjisë të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), e cila bashkon konsumatorët kryesorë.
“Sistemi i sigurisë së naftës i IEA-s mbulon një rezervë krize prej 1.2 miliardë fuçish dhe ka rezultuar të jetë thelbësor në mbrojtjen e ekonomisë globale”, shkroi Birol në X.
Çmimet e naftës u rritën me rreth tetë për qind sot, duke iu afruar nivelit 75 dollarë, pas një vale sulmesh izraelite ndaj Iranit.










