Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

IKD: Qeveria përmbushi 42% të agjendës së planifikuar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023

nga R1 korrik 2023
IKD: Qeveria përmbushi 42% të agjendës së planifikuar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023

Qeveria e Kosovës ka përmbushur 42% të programit legjislativ për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, ku përfshihen 34 projektligje të miratuara nga 78 të planifikuara, sipas hulumtimeve nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Sipas IKD-së, Qeveria nuk përmbushi standardet e konsultimit publik në afërsisht 50% të projektligjeve.

“Qeveria e Kosovës e ka miratuar programin legjislativ me 25 janar 2023, përderisa me 11 janar 2023, ajo ka miratuar dy projektligje ende pa miratuar programin legjislativ. Deri në fund të muajit qershor, Qeveria ka përmbushur vetëm 42% të agjendës legjislative të paraparë për gjashtë mujorin e parë të vitit 2023. Sipas agjendës legjislative, Qeveria kishte planifikuar miratimin e 78 projektligjeve deri në muajin qershor.  Përderisa, deri me 30 qershor 2023, Qeveria  ka miratuar 33 prej tyre, apo 42% të projekt-ligjeve të planifikuara.  Qeveria gjatë kësaj periudhe kohore ka miratuar një projekt-ligj të planifikuar për muajin shtator të këtij viti”, thuhet në raportin nga IKD, përcjell rtv21.tv.

IKD vlerëson se Qeveria nuk përfshiu në programin legjislativ për vitin 2023, 26 projektligje, të cilat kanë qenë në plan programin legjislativ për vitin 2022, dhe të cilat nuk janë miratuar gjatë vitit të cekur.

“Lista e projekt-ligjeve që janë paraparë për miratim gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, përfshinë ligje që ndërlidhen me përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare në procesin e integrimit evropian por edhe ligje tjera me interes publik në sferën e shërbimit të jashtëm, drejtësisë, medias, politikave sociale, pensionale dhe të shëndetësisë.  Lista e ligjeve të mbetura, përfshinë, Projekt Kodin Civil, Projektligjin për Shërbimin e Jashtëm, Projektligjin e punës, Projektligjin për Diasporën, Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, Projektligjin për për Noterinë, Projektligjin për Gjykatat, Projektligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për të Huajt, Projektligjin për Gjendjen Civile, Projektligjin për Shëndetësi, Projektligjin për Sigurime Shëndetësore, Pojektligjin për Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë, Projektligjin për vlerësimin dhe shqyrtimin e akteve të komunave, Projektligjin për Banimin Social, Projektligjin për Inspektoratin për Mbikëqyrjen e Tregut, Projektligjin për Regjistrin e Pronarëve Përfitues, Projektligjin për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë”.

Sa i përket nivelit të zbatimit të programit legjislativ nga ministritë përkatëse, IKD ka gjetur se nivelin më të lartë të miratimit të projektligjeve e ka arritur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me 100% të projektligjeve të miratuara, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me 100%, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 100%, Zyra e Kryeministrit me 75%, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 57 %, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me 43%, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me 25%.

Asnjë projektligj, përkundër planifikimeve nuk ka arritur ta procedojë për miratim Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Ekonomisë.

IKD po ashtu ka gjetur se në një rast Qeveria e Kosovës, në kundërshtim me afatet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, vendos për Projektligjin për Skemat Pensionale, duke rrezikuar të drejtat e mijëra pensionistëve.

“Me 30 dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi paragrafin 2 të nenit 8 te Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale, sepse në mënyrë diskriminuese përmes këtij neni mijëra qytetarë, duke mos e përmbushur kriterin e përvojës prej 15 viteve pune para janarit të vitit 1999 nuk e kanë gëzuar pensionin kontributdhënës, por vetëm atë të moshës. Gjykata urdhëroi Kuvendin dhe Qeverinë që të nisin ndryshimet për këtë ligj dhe që këto ndryshime të bëhen jo më larg se data 15 korrik 2023. Përkundër premtimeve të qeverisë, projektligji ende nuk është miratuar nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës”, është thënë tutje në raport.

Në një rast tjetër, sipas IKD-s, në kundërshtim me Kushtetutën dhe duke u arsyetuar në miratimin e një neni të caktuar në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, Qeveria nuk i kishte transferuar të hyrat vetanake të komunave, duke bërë që mjetet, të cilat komunat i kanë mbledhur nga viti 2022 dhe vitet e tjera paraprake të bëhen pjesë e buxhetit qendror.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, komunat e kanë të drejtën e vendosjes, caktimit, mbledhjes dhe shpenzimit të të hyrave vetanake dhe në të njëjtën kohë të marrin fonde nga Qeveria e Kosovës”, përfundon IKD. /21Media

Spanja kundër Argjentinës: Finales botërore i dihet gjithçka
LAJMI TJETËR →
Spanja kundër Argjentinës: Finales botërore i dihet gjithçka

Më të fundit

Të gjitha →