Pas deklaratave të ministreve në detyrë, Donika Gërvalla dhe Albulena Haxhiut pas aksionit të Prokurorisë Speciale në Ministrinë e Bujqësisë ka reaguar Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Sipas IKD-së, duke ofruar mbrojtje institucionale ndaj personave subjekt të hetimit për afera korruptive, cenohen rëndë vlerat dhe parimet e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe kjo sipas këtij instituti “paraqet promovim të kulturës së pandëshkueshmërisë”.
“Deklaratat e akterëve politik që i cilësojnë aksionet e Prokurorisë si “inskenim i gërditshëm” dhe si “hakmarrje” janë të papërgjegjshme dhe përbëjnë tentim për të denigruar punën e prokurorëve të PSRK. Deklaratat e tilla, ashtu siç e kemi thënë në vazhdimësi, përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe të papranueshme në sistemin e drejtësisë, dëmtojnë dhe rrezikojnë pavarësinë institucionale të Prokurorisë si dhe cenojnë besimin e publikut jo vetëm në institucionet e drejtësisë por edhe tërë sistemin publik të Republikës së Kosovës. Deklarata të tilla janë në kundërshtim me thirrjet dhe rekomandimet e publikuara në raporte vendore dhe ndërkombëtare ku kërkohet të respektohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe parimi i ndarjes së pushteteve. Përdorimi i pozitës politike për të sulmuar personalisht prokurorë që janë në ushtrim të detyrës zyrtare për hetimin e dyshimeve për korrupsion është praktikë e dëmshme që cenon ndarjen e pushteteve dhe krijon precedentin e rrezikshëm të pandëshkueshmërisë për zyrtarët e lartë të pushtetit”, thuhet në reagimin e IKD-së.
IKD ka ftuar të gjithë akterët politikë, përfshirë partinë në pushtet dhe ministrat në detyrë, që të përmbahen nga deklaratat denigruese ndaj sistemit të drejtësisë, të lejojnë që institucionet përkatëse të kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe profesionale dhe të mos përdorin institucionet e shtetit për të mbrojtur interesa personale apo partiake.











