Isa Mustafa, është takuar në Bruksel me Komisionerin Evropian për Migrim, për Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos
Komisioneri për çështje të brendshme dhe migracion, Dimitris Avramopoulos, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha partive politike në Kosovë që ta procedojnë sa më shpejt për votim në Kuvend marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Komisioneri Avramopoulos thuhet t’i ketë dhënë Kosovës mbështetjen e plotë në hapat e fundit drejt procesit të liberalizimit të vizave.
“Komisioneri Avramopoulos ka njohur përpjekjet e Kosovës për të ratifikuar marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe e ka inkurajuar kryeministrin Mustafa dhe qeverinë e tij dhe të gjitha partitë politike që ta procedojnë sa më shpejtë atë për votim në Kuvend”, thuhet në një kumtesë të përbashkët të komisionerit të BE-së dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa raporton Evropa e Lirë.
Kryeministri Mustafa ka qëndruar në Bruksel ku është takuar me komisionerin për cështje të brendshme dhe migracion, Dimitris Avramopoulos, me të cilin thuhet të ketë hapur çështjen e pezullimit të përkohshëm të kushtit të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, për liberalizimin e vizave.
Kërkesa e Mustafës që përfshinte hapjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe përmbushjen e kushtit të demarkacionit ‘brenda një periudhe dy vjeçare’.
Në kumtesën e përbashkët të komisionerit Avramopoulos dhe kryeministrit Mustafa, thuhet se takimi është zhvilluar për të diskutuar hapat e fundit të nevojshëm për të përmbushur kushtet e mbetura për liberalizim të vizave me Kosovën.
Në kumtesë gjithashtu thuhet se komisioneri i BE-se ka shprehur gatishmërinë e tij që ta vizitojë Kosoven përpara verës së këtij viti.
Marrëveshja për damarkimin e vijës kufitare ndërmjet Prishtinës e Podgoricës u nënshkrua në verën e vitit 2015 në Vjenë, në praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe Mali i Zi e ratifikoi në Kuvendin e tij, duke i hapur rrugën vendit drejt anëtarësimit në NATO.










