Konstituimi i Kuvendit të Kosovës të premten i ka hapur rrugë fillimit të procedurave për formimin e Qeverisë së re. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të shtunën mandatoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë të re, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Monitorues të punës së Kuvendit thonë se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt, derisa sqarojnë për KosovaPress, në detaje procedurat dhe afatet ligjore për formimin e ekzekutivit të ri.
Megjithatë, analistë politikë kanë mëdyshje se Kurti i ka numrat për formimin e qeverisë së re, derisa paralajmërojnë shkuarjen në zgjedhje të reja.
Seanca konstituive e Kuvendit ka nisur më 15 prill dhe rreth gjashtë muaj më vonë, më 10 tetor, u kompletua Kryesia pas zgjedhjes edhe të nënkryetarit nga komuniteti serb, duke konstituar legjislaturën e nëntë.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, thotë për KosovaPress, se pas konstituimit të Kuvendit, tash “topi” është te presidentja Vjosa Osmani, e cila duhet ta caktojë mandatarin për formimin e qeverisë.
Sipas tij, pasi LVV-ja si partia e parë ta marrë mandatarin, i ka kohë 15 ditë për formimin e qeverisë së re.
Nëse kjo nuk ndodh, ai shton se duhet të kalohet në raundin e dytë, ku presidentja duhet të mandatojë dikë tjetër për kryeministër. Siç thekson Shala, nuk është e domosdoshme të jetë nga partia e parë në zgjedhje, por kushdo që e dëshmon se i ka 61 vota për formimin e qeverisë në Kuvend.
Në rastin e kundërt, nëse asnjëra palë s’ka vota për shumicë parlamentare, Shala deklaron se presidentja duhet ta shpërndajë Kuvendin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
“Në momentin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, atëherë i hapet rruga për formimin e Qeverisë së Kosovës. Në këtë rast, në momentin kur Kuvendi konstituohet, presidentja e cakton mandatarin për formimin e qeverisë, i cili në raundin e parë duhet të jetë domosdoshmërisht nga partia e parë që ka dalë nga zgjedhjet, në rastin konkret Lëvizja Vetëvendosje. Ky mandatar i ka afat 15 ditë që të votohet qeveria në Kuvend. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë kalohet në raundin e dytë dhe presidentja duhet të caktojë një mandatar tjetër për formimin e qeverisë. Në raundin e dytë nuk është e thënë që automatikisht të jetë partia e parë që ka dalë nga zgjedhjet, por duhet të jetë ajo parti që ia dëshmon presidentes që ka shumicën e nevojshme në Kuvend për formimin e qeverisë. Mbi bazën e kësaj çështjeje, atëherë presidentja e Kosovës e cakton edhe mandatarin tjetër. Nuk përjashtohet mundësia që përsëri mandatari të jetë nga partia fituese, nëse dëshmon se ka shumicën e nevojshme në Kuvend. Nëse kjo nuk ndodh dhe nuk arrihet që askush ta dëshmojë se ka shumicën në Kuvend, atëherë presidentja e Kosovës mund të shpërndajë Kuvendin dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, thekson ai.
Zgjedhjet e reja të parakohshme sipas analistit politik, Albinot Maloku, janë vullnet i partive politike.
Duke u bazuar në krizën e deritanishme politike, Maloku ka mëdyshje nëse janë numrat për formimin e qeverisë së re.
“Kam përshtypjen që vullneti në përgjithësi i subjekteve politike është që pas 12 tetorit, në zgjedhje lokale, të shkohet në zgjedhje të parakohshme në nivel vendi. Në këtë mënyrë të bëhet një matje tjetër, me shpresën që të ndryshojnë numrat nga ajo që ka qenë më 9 shkurt. A janë të dëmshme këto? Po. A janë demokratike? Po, gjithsesi zgjedhjet e parakohshme janë demokratike”, thekson ai.
Lëvizja Vetëvendosje ka pasur negociata të vazhdueshme për koalicion qeveritar me Nismën Socialdemokrate, e cila ka tre deputetë në Kuvend, për formimin e qeverisë, por pa arritur pajtueshmëri.
Ndërkaq, LVV-ja është refuzuar për koalicion nga LDK-ja.
Pas konstituimit të Kuvendit, anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se do të vazhdojnë komunikimet edhe me deputetë të tjerë për të parë nëse kanë vullnet për të qenë pjesë e qeverisjes.
Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, për një tjetër mandat në krye të Qeverisë. Kurti është zgjedhur me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, të mbajtur në fillim të muajit shtator./kp











