Kosova është anëtarësuar në organizatën Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP).
Këtë e bëri të ditur ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“I lumtur të ndaj lajmin se Kosova është bërë anëtarja më e re në Open Government Partnership. Ne, përmes kësaj organizate i bashkohemi kombeve të botës demokratike, duke u zotuar mbi parimet e përbashkëta për qeverisje të hapur, të përgjegjshme dhe inovative duke u angazhuar për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
OGP është një iniciativë shumëpalëshe që synon angazhimin konkret nga qeveritë kombëtare dhe nën-kombëtare për të promovuar qeverisjen e hapur, fuqizimin e qytetarëve, luftimin e korrupsionit dhe shfrytëzimin e teknologjive të reja për të forcuar qeverisjen. /21Media











