Kosova forcon bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Emiratet e Bashkuara Arabe
Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe ka nënshkruar Protokollin e Parë të Komitetit të Përbashkët Ekonomik.
Nënshkrimi i protokollit është bërë nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Ministri i Shtetit të EBA-s, Sh.T. Ahmed Ali Al Sayegh.
”Ky protokoll, i cili rrjedh në kuadër të Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), forcon bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve, duke pasur për qëllim rritjen e tregtisë dhe tërheqjen e investimeve. Përmes këtij protokolli, Republika e Kosovës dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, zotohen për të rritur bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, ku përfshihen: industria prodhuese, bujqësia, inovacioni dhe teknologjia e mençur, infrastruktura, energjia dhe turizmi.”, thuhet në komunikatën e MINT-it.
Po ashtu Ministrja Hajdari citohet të ketë thënë se Kosova mbetet e hapur për investime të qëndrueshme nga ky vend, derisa ftoi Ministrin e Shtetit, Sh.T. Ahmed Ali Al Sayegh, për vizitë në Republikën e Kosovës, për të parë nga afër mundësitë e shumta që ofrohen për investimet e huaja./21Media










