Pasi Kosova u rendit në vendin e 99-të në botë në mesin e 180 shteteve, duke pësuar rënien më të madhe përgjatë viteve të fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, ka reaguar Qeveria në detyrë e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për kallxo tha se ajo çka mund të vërehet është “rënie e standardit të mediave”.
“Në Kosovë nuk ka, as nuk do të ketë mungesë të lirisë së shtypit. Për këtë është meritore shoqëria. Ajo çka shohim ndër vite është rënie e standardit të mediave. Kur ky standard në rënie ballafaqohet me kundërpërgjigje si nga qytetarët ashtu edhe nga institucionet që janë subjekte të raportimeve joprofesionale, ato cilësohen si sulme dhe kërcënime, që pastaj përfshihen në raporte ndërkombëtare si ky i Reporterëve pa Kufi.”- tha zëdhënësi i Qeverisë në detyrë për kallxo më 02.05.2025.
Sipas Kryeziut, raporti i Reporterëve pa Kufij “nuk e pasqyron gjendjen e vërtetë” në Kosovë.
“Me gjithë respektin për Organizatën e Reporterëve pa Kufi dhe pavarësisht hapësirave në të cilat Kosova mund të përmirësohet, kjo renditje nuk është pasqyrim korrekt i situatës në vendin tonë. Kosova jo që nuk mund të jetë më keq se Serbia, por ajo gëzon dukshëm më shumë liri të mediave në rajon e gjetiu.”- tha Përparim Kryeziu për KALLXO.com.
Kosova është renditur e 99-ta nga 180 shtete në indeksin vjetor të lirisë se shtypit të organizatës “Reporterët pa kufij”. Kjo shënon rënie prej 24 vendesh nga viti 2024, kur renditej në pozitën e 75-të ndërsa krahasuar me vitin 2023, Kosova ka dënie prej 43 pozitash.
Kjo renditje është renditja më e ulët e Kosovës në 15 vitet e fundit. Në indeks, Kosova renditet më së keqi në raport me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria renditet e 80-a, Mali i Zi i 37-i, Maqedonia e Veriut e 42-ta, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-a.
Pesë vendet e para me gjendjen më të mirë të lirisë së shtypit sipas raportit të “Reporterët pa Kufij” janë: Norvegjia, Estonia, Holanda, Suedia dhe Finlanda.











