Kurti dhe Rama kanë vlerësuar kontributin e Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut
Në kuadër të samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE-së dhe SHBA-ve të mbajtur sot në Shkup, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka mbajtur një takim me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Ramën dhe me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Ata kanë bashkëbiseduar për sfidat ndaj stabilitetit, sigurisë dhe demokratizimit të rajonit që cenojnë në mënyrë direket integrimin rajonal dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Rama dhe Kryeministri Kurti kanë vlerësuar kontributin e Aleancës për Shqiptarët në ruajtjen e kursit pro-perëndimor të Maqedonisë së Veriut në këto kohëra të trazuara për Ballkanin Perëndimor.
“E falënderova Kryeministrin Rama për bashkërendimin e vazhdueshëm, duke uruar që përpjekjet dhe sakrificat tona të kurorëzohen një ditë e më parë me hapjen formale të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.”- shkruan Taravari.
“E sigurova Kryeministrin Kurti për angazhimin e palëkundur të Aleancës për Shqiptarët në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, të cënuar në vazhdimësi nga Republika e Serbisë në një frymë anti-evropiane dhe që nuk kontribuon në zgidhjen përfundimtare midis dy vendeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur nga SHBA-ja.”- shton më tej Taravari./TV21









