Kurti: Konferenca ndërkombëtare kemi pasur në të kaluarën, tash kemi një marrëveshje bazike (VIDEO)
Kryeministri Albin Kurti është shprehur skeptik për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, duke thënë se të tilla ka pasur edhe më herët, njofton rtv21.tv.
Kurti tha se ën vend të kësaj, krejt çfarë duhet bërë është implementimi i marrëveshjes bazike në tërësi.
“Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti, në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit. Krejt çka duhet bërë është që pa kushte të implementohet ajo marrëveshje bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer e të balancuar. Kjo duhet të bëhet dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, tha Kurti para gazetarëve sot gjatë ditës në Prizren.
Ditë më parë, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve.
“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, pati thënë Michel, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në.
Idenë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e shpalosi më 27 qershor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Atë ditë, Rama bisedoi në Bruksel më zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë Michelin. /21Media











