Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKulturë
🎭 Kulturë

Kurti mori pjesë në hapjen e edicionit të 21-të të Javës së Bibliotekës

nga Venera Grabanica27 maj 2024
Kurti mori pjesë në hapjen e edicionit të 21-të të Javës së Bibliotekës

Kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e edicionit të 21-të të Javës së Bibliotekës, e cila u mbajt në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Përgjatë ngjarjes u prezantuan rezultatet e punës së ekipit të Bibliotekës Kombëtare, së bashku me organizatat e kulturës e të trashëgimisë kulturore, si dhe profesionistë e intelektualë të Kosovës dhe ata të huaj, si dhe u përurua Qendra e Digjitalizimit të Bibliotekës Kombëtare.

“Mbi gjysmë milion euro të fondeve të Qeverisë së Kosovës janë dedikuar për digjitalizimin e shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Kryeministri Kurti theksoi se çdo qytetar i Republikës së Kosovës tashmë ka qasje në arkivat digjitale, si një burim i paçmuar për edukimin dhe zhvillimin e mëtejshëm, kur janë digjitalizuar rreth 600 mijë objekte digjitale, përfshirë gazetën Rilindja dhe koleksionet e rralla e të vjetra.

Digjitalizimi i këtyre materialeve është thelbësor jo vetëm për qasjen e lehtë në informacion, por edhe për ruajtjen e njohurive dhe të historisë sonë nga shkatërrimi apo harresa.

“Qeveria jonë ka prioritet ruajtjen e kujtesës si bazë e vetëdijes sonë kombëtare. Kujdesi për çdo cep të Kosovës është një vlerë e pandashme me jetën tonë të përditshme, edukatën dhe filozofinë e të jetuarit në këtë vend”, shtoi kryeministri.

 Të pranishëm në këtë ngjarje ishin dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, profesorë e përfaqësues të institucioneve të kulturës, dhe pjesëmarrës të shumtë adhurues të librit e të artit, të cilët u mirëpritën nga u.d. drejtore e Bibliotekës Kombëtare, Bukurije Haliti, si dhe anëtarë të tjerë të stafit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Pas hapjes, kryeministri Kurti vizitoi Qendrën e Digjitalizimit të Bibliotekës Kombëtare, pastaj Projektin për “Qasje për Personat me Aftësi të Kufizuara” investim ky i realizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe në fund vizitoi ekspozitën e kuruar nga Patricia Nugee, me titull “Kujtesa për Skënderbeun”.

 

FIFA shpall pa faj arbitrin e akuzuar për gjest supremacist
LAJMI TJETËR →
FIFA shpall pa faj arbitrin e akuzuar për gjest supremacist

Më të fundit

Të gjitha →