Kurti në takim me Ashtonin: Përballemi me shumë çështje të njëjta si para 10 vjetësh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka darkuar me ish-përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
Kurti ka thënë se pavarësisht ndryshimeve në role tash në krahasim me 10 vjet më parë, vazhdon përballja me shumë çështje të njëjta.
“Kam shtruar darkë mbrëmë në periferi të Prishtinës për ish-Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, baroneshën Ashton, me të cilën kam diskutuar për politikën dhe çështjet evropiane e rajonale. Edhe pse rolet tona janë të ndryshme sot në krahasim me 10 vjet më parë, ne përballemi me shumë çështje të njëjta”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Catherine Ashton, që pati udhëhequr një kohë ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, në Prishtinë të premten ka thënë se pret përparim në dialog dhe u shpreh se ka nevojë për vendosmëri të përnjëmendtë për të bërë kompromis. Në një konferencë në kryeqytet, Ashton refuzoi të komentonte takimin e fundit të dështuar në dialog mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ajo lavdëroi emisarin aktual të BE-së, Miroslav Lajçak.











