Deklarimet e kryetarit të LVV-së, Kurti, se ai do të kujdeset që të mos ndajë buxhet për kryetarët e komunave të cilët sipas tij, vjedhin buxhetin e shtetit, drejtori i asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i ka cilësuar si të papranueshme. Ibrahimi tha se deklaratat fyese dhe denigruese ndaj kryetarëve të komunave nuk janë në frymën institucionaliste dhe se akuzat e Kurtit për kryetarët e komunave nuk qëndrojnë.
“ Ky edhe në vitin 2021 pas zgjedhjeve lokale, pati deklaru që krimi ka zbritur në nivel lokal. Por, ne edhe më herët por po e llogariti që nga viti 2021 kur Kurti është në pushtet asnjë kryetar të komunave nuk e kemi nën aktakuzë, madje të gjitha komunat kanë performancë të mirë. Ndërsa, akuza për mospunë iu përgjigjet qytetari me votë, sepse ne pamë që veç VV-së edhe kryetar të partive të tjera fituan pa balotazh…”, tha Ibrahimi.
Pak ditë pasi qeveria në detyrë aprovoj një buxhet të “kontestueshëm” për vitin 2026 prej 4 miliardë eurosh, kryeministri në detyrë Kurti, tha se do të kujdeset që kur të bëjë ndarjet buxhetore prej 1 miliardë eurosh për komunat të mos ndajë buxhet për kryetarët e komunave të cilët sipas tij, keqpërdorin buxhetin e shtetit.
“Unë nuk ndaj mjete për kryetarët të cilët vjedhin…
Deklaratat e Kurtit, për selektim të ndarjeve buxhetore, u panë me shqetësim edhe nga komuniteti i bizneseve. Kryetari i Odës Ekonomike Lulzim Rafuna tha se deklaratat e tilla krijojnë pasiguri tek bizneset që operojnë nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.
“ Kto deklarata krijojnë pasiguri tek bizneset sepse, bizneset e të gjitha komunave me taksat e tyre kontribojnë në buxhetin e shtetit, dhe normal që këto deklarata krijojnë pasiguri dhe shqetësim tek bizneset..”, tha Rafuna për rtv21
Më 31 tetor kur ishte edhe afati i fundit për aprovimin e buxhetit, qeveria në detyrë miratojë buxhetin prej 4 miliardë euro. Ndërkohë, i njëjti buxhet duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës në dy lexime me shumicë të thjeshtë më së largu deri më 31 dhjetor. Megjithatë, miratimi i buxhetit nga qeveria në detyrë i cili shkaktoi valë reagimesh sa i përket ligjshmërisë së tij, tashmë po kontestohet në Gjykatë.
Kosova prej muajsh gjendet në një bllokadë politike, dhe pavarësisht se nuk dihet se a do të ketë një qeveri të re apo vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ministrat në detyrë të cilët më 9 shkurt janë zgjedhur deputet vazhdojnë të këmbëngulin në krijimin e komisioneve parlamentare, komisione këto të cilat sipas tyre, do të mundësonin që të shqyrtoheshin dhe votoheshin çështjet emergjente siç është buxheti dhe plani i rritjes i BE-së./RTV21/21Media











