Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka uruar kandidatin e tij, Valon Prebreza për fitore në Fushë Kosovë, duke thënë se do të ketë mbështetje të fuqishme nga Qeveria e Kosovës, e nga ai si kryeministër në detyrë.
Ndërkohë Prebreza tha se pas 25 viteve, sipas tij, Fushë Kosova nuk iu nënshtrua një politike që tentuan ta dirigjojnë.
Kryetari i LVV-së, njëkohësisht kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha disa fjalë për kryetarin e ri të Fushë Kosovës.
Sipas tij, Prebreza do të sjellë demokraci, mirëqenie, zhvillim, funksionalitet e barazi për të gjithë qytetarët e kësaj komune.
“Prej më shumë se dy dekadave të partisë në pushtet të pushtetit parti, LVV e bëri ndryshimin e madh me kryetarin e ri. Valon Prebreza do të sjellë demokraci, mirëqenie, zhvillim, funksionalitet, dinjitet dhe barazi për të gjithë.. Betejën e njëjtë, Vetëvendosja dhe Prebreza e vazhdojnë, kësaj radhe edhe më mirë edhe më kollaj, sepse këtë betejë do ta vazhdojmë edhe nga zyra e kryetarit të komunës së Fushë Kosovës ku do të hyjë së shpejti Prebreza. Do ta ketë mbështetjen e fuqishme, pa rezervë, pa kursim, pa pushim e Qeverisë së Kosovës dhe timen si kryeministër”, tha Kurti.
Ndërkohë, kryetari i ri i Fushë Kosovës, Valon Prebreza duke i falënderuar qytetarët që kanë votuar atë tha se mbështetjen e tij do ta kenë edhe qytetarët të cilët nuk e kanë votuar atë.
“Kjo fitorja është fitore e juaja e qytetarëve të Fushë Kosovës sepse nuk iu nënshtruar një politike që tentuan me na dirigjua në Fushë Kosovë. Pas 25 vjetëve, pushteti komunal po dorëzohet te ju, sepse ne do të jemi shërbyes të juaj.. Edhe ata që nuk na kanë mbështetur do t’i trajtojmë njëjtë sepse do të jemi kryetari i te gjithëve bashkë”, tha Prebreza.
Në komunën e Fushë Kosovës Prebreza ka fituar me 10 mijë e 583 vota apo 54.99 për qind. Ndërkaq, kundër kandidati i tij nga LDK-ja, Besnik Osmani kishte fituar 8 mijë e 664 vota apo 45.01 për qind. Numri i votuesve në Fushë Kosovë ishte 51 mijë e 110, ndërsa 19 mijë e 247 kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës.











