Kurti për hapjen e Urës së Ibrit: Nuk është kundër askujt
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit do t’i ndihmonte qytetarëve pa dallim etnie, por edhe ekonomisë e tregtisë.
“Nuk është kundër askujt, por për qytetarët dhe për mallrat e kapitalit. I ndihmon njerëzit në të dy anët e Ibrit pa dallim etnie, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë e bashkëpunimin. Janë edhe tri ura dhe të ngelet vetëm kjo e mbyllur është e pakuptueshme. Edhe kjo urë do të duhej të lihej e hapur. Hapja e urës në mënyrë të plotë është quajtur simbol i normalizimit në të kaluarën nga Brukseli”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.
Ai ka folur edhe për komentet që duhet t’i dërgojnë te Bashkimi Evropian për marrëveshjen e Brukselit, pasi sot është afati i fundit.
Kurti ka thënë se ekipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi është duke punuar dhe do të ketë informacione të reja më së largu deri nesër.











